Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Shëndetësisë: Humb jetën 21-vjeçarja, vdiqën edhe 3 të tjerë


Katër qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e Covid-19 në 24 orët e fundit në Spitalin Infektiv. Mes tyre, edhe një vajzë 21-vjeçare.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë e reja ndodhej në terapi intensive e intubuar. Ajo është viktima më e re nga koronavirusi e shënuar në vendin tonë, që nga fillimi i pandemisë.

“Situata paraqitet e rënduar në spitalin infektiv, ku janë shënuar 4 humbje jete në 24 orët e fundit.

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një vajzë e re 21 vjeçare, e cila ndodhej në terapi intensive e intubuar, si pasojë e simptomave të rënda të Covid19. Gjendja e saj u rendua në mënyrë të menjëherëshme si pasojë e tromboembolisë fulminante dhe pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, e reja që vuante nga sindromi metabolik, nuk ka arritur të mbijetojë.

Gjatë 24 orëve të fundit e kanë humbur betejën me sëmundjen edhe një qytetare 49 vjeçare nga Kruja, e intubuar në gjendje të rëndë prej 11 ditësh dhe dy qytetarë, 56 dhe 67 vjeç, nga Tirana të intubuar, të cilët nuk e kanë fituar dot betejen me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mëdha qe po bën stafi mjekësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, u shpreh ngushëllimet familjarëve”– tha Mirela Cami, e cila është Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Në këto 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar 85 raste të reja me koronavirus.

Këto raste janë shënuar në: 44 në Tiranë, nga 6 raste në Shkodër, Krujë, Vlorë, 5 në Tropojë, 3 në Elbasan, nga 2 raste në Durrës, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, nga 1 rast në Has, Berat, Kamëz, Pogradec, Ura Vajgurore./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *