Ndryshimet kushtetuese mbi sistemin zgjedhor kanë sjellë një debat në kampet politike në vend ku mazhoranca nga njëri krah po tenton të votojë hapjen e listave së bashku me opozitën parlamentare pa dakordësinë e opozitës së bashkuar.
Lidhur me këto ndryshime të cilësuara të njëanshme, së fundmi Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka publikuar një video-deklaratë të Kryeministrit Edi Rama në vitin 2013.
“Ky vizion të dashur miq meriton vetëm duartrokitje! Miratimi i Kushtetutës me REFERENDUM popullor është merita më e madhe e vetë Partisë Socialiste në këto tre dekada!”-shkruan Meta.
Po çfarë deklaron Rama në këtë video?
“Çdo ndërhyrje në Kushtetutë pavarësisht se nuk përbën asnjë lloj sakrilegji në vetvete, imponon domosdoshmërisht që në funksion të stabilitetit dhe të forcimit të rendit kushtetues, gjithëpërfshirja të jetë koncepti bazë dhe më fillestar i saj. S’mundet kurrsesi që një proces i tillë të jetë një proces partiak dhe aq më pak një proces politik i njëanshëm. Padyshim edhe në qoftë një proces politik i gjithanshëm kjo është e pamjaftueshme kur flasim për Kushtetutën e një vendi në jetën e të cilit partitë politike përfaqësojnë shumëçka por kurrsesi nuk përfaqësojnë gjithçka”-është shprehur Rama në atë kohë.