Vendosni fjalën kyçe....

Takimi me Bashën, çfarë i kërkoi Meta kryedemokratit


Paraditen e sotme presidenti Ilir Meta u takua me kryedemokratin Lulzim Basha, lidhur me shqetësimin e tyre për ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutën e Shqipërisë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, partitë do të shkojnë para votuesve me lista të hapura dhe rrjedhimisht pa koalicione parazgjedhore.

Mësohet se në këtë takim, Meta i kërkoi Bashës që t’i qëndrojë marrëveshjes së 5 qershorit.

“Sot janë zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut dhe është një gjë pozitive jo vetëm për Maqedoninë por moment reflektimi për të gjithë ne këtu që të japim mesazhe pjekurie dhe përgjegjshmërie. Dua të falenderoj për bashkëpunimin tuaj gjatë periudhës së pandemisë dhe pjesëmarrjen konstruktive në mbledhjen e këshillit të sigurisë kombëtare dhe mos rënien pre për largimin nga tryeza politike pas shembjes së teatrit. Do të kërkoja nga ju që t’i qëndronit me besnikëri marrëveshjes së firmosur me përfaqësuesit e mazhorances dhe të ruani qetësinë dhe në këto momente kur ka përpjekje për të cenuar rëndë Kushtetutën e vendit në mënyrë kriminale dhe për të shkatërruar cdo lloj legjitimiteti të institucioneve që ekzistojnë në vend. E rëndësishme është të mos bëjmë aventura me Kushtetutën. Kur nuk është dëmtuar të mohohet kaq shpejt një marrëveshje pa u tharë boja. Keni rol të rëndësishëm me qetësi dhe pergjegjshmerine tuaj për të bashkëpumuar edhe me partnerët europianë. Konfliktet në Shqipëri s’janë të rastësishme as atëhere kur ka zhvillime apo ka zhvillime në rajon. Jini të vetëpermbajtur”-  tha Meta.

Gjatë fjalës së tij, Basha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka dështuar me përmbajtjen e koronavirusit dhe se po prish me vetëdije marrëveshjen e 5 qershorit të arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së, BE-së e Britanisë së Madhe.

“Shqetësim kryesor është gjendja në vend, pandemia dhe ka një përpjekje për t’u fshehur. Dështimi më i madh është kthimi i spitaleve në qendra infeksionesh. Vlerësoj apelet tuaja që qeveria të mos fshihet. Së pari po thyen me vetëdije një marrëveshje të negocinuar me SHBA-në-BE-në dhe Britaninë që solli normalizimin e klimës politike në vend për t’i hapur rrugë zgjedhjeve.

Nuk kemi iluzion se kjo plotëson kriteret për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ne e kemi se problemi nuk ka qenë ligji po zbatimi, prandaj kërkuam qeveri trasitore, por në respekt të aleatëve vendosën që të mos e kushtëzojmë, dhe arritëm që marëveshja u mbështet nga partnerët. Koha ishte esenciale, që të kishim sa më shpejt KQZ dhe procesin biometrik. Por duke u fshehur një numri deputetësh dhe së fundmi duke dalë hapur vendosi ta hedhë në kosh marrëveshjen dhe ndryshojë Kushtetutën. Bundestagu gjerman po ashtu edhe komisioni për zgjerimin janë shprehur, rrezikojmë izolim të dytë të Shqipërisë, pas të parës izolimit nga COVID.

Por ky izolim do të jetë permanent nëse Shqipëria do të mbahet peng. Nëse këto ndryshime ndodhin do të bëhemi vendi i dytë pas Rusisë, ku kushtetuta ndryshohet në kohë pandemie për interesa politike jo të qytetarëve. Fatura do të jetë shumë e rëndë, nuk duhet ta paguajë Shqipëria po përgjegjësit. Por besoj se do të ketë burra dhe gra të arsyeshëm që do të dëgjojnë partnerët”.- tha Basha.

Meta përsëriti se ky është një moment reflektimi për t’u marrë me gjëra më të rëndësishme sesa me provokime që do të kishin pasoja të menjëhershme për Shqipërinë dhe kurrsesi nuk do ta shkatërronin të ardhmen e Shqipërisë.

Në takimin me presidentin, kryedemokrati u shoqërua nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *