Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Balla, ka pohuar sot nga foltorja e Kuvendit se procesi i dëmshpërblimit të ish-të përndjekurve do vijojë pavarësisht situatës së pandemisë.
Gjatë fjalës së tij Balla sulmoi ish-kryeministrin Berisha dhe PD-në duke thënë se janë tallur me këtë kategori.
“Sa herë diskutohet në Kuvend një akt ligjor që ka të bëjë me trajtimin e ish-të përndjekurve politikë, diskutimet patetike në këtë sallë dhe qarje halli real të të përndjekurve, nga njerëz që nuk kanë bërë kurrë për ta. S’kam asgjë me deputetët e opozitës, edhe pse fjalë për fjalë ngjanin me fjalime të kolegëve të tyre që i kanë sjellë në Parlament. E vërteta është si drita e diellit, që kjo mazhorancë pas 2013-ës, është e vetmja që realisht e ka adresuar financiarisht dëmshpërblimin e merituar të atyre që kanë qenë të përndjekur. Të gjithë e dimë se ka nga ata që dhe pse kanë qenë të dënuar për vepra të tjera penale, duan të marrin dëmshpërblim.” – tha Balla.
Ai shtoi më tej se me disa ndryshime ligjore të bëra në vitin 2014 u është dhënë prioritet personave që kanë vuajtur vetë në burgjë ndërsa në 6 vite janë paguar rreth 110 milionë dollarë dëmshpërblim.
“Me ndryshimet ligjore të vitit 2014, i kemi dhënë prioritet likuidimit të kategorisë parësore, pra ata që e kanë vuajtur vetë. Ky vendim solli edhe likuidimin e të gjithë shumës. Gjatë këtyre 6 viteve janë paguar 39 mijë e 162 subjekteve përfituese me 110 milionë dollarë. Nga të cilat janë çelur 11 këste për përfituesit e kategorisë parësore. Kjo nuk është bërë për arsye fushatash. Nëse doni, t’ju them jo juve, por atyre të opozitës jashtëparlamentare personalisht, Sali Berishës që është tallur me të përndjekurit. Kjo shumë është shumë më e madhe se sa ka paguar PD në 6 vite. Dallimi ynë i madh me këdo tjetër në spektrin politik në këtë vend, është se PS-së qeveris për njerëzit. Pala tjetër ka qeverisur për të bërë dallime dhe diferencime sociale. Nga ana tjetër, me ndryshimet ligjore të 2018-ës u bë shikimi i dosjeve dhe afateve. Ligji i vitit 2009 u bë në prag të fushatës dhe rrena e radhës ishte që t’i merren vota të përndjekurve. Ish-lideri historik i PD, që hipte në varkën e Hoxhës apo rrinte në shtëpinë e tij.” – shtoi Balla.