Vendosni fjalën kyçe....

Kandidate për Gjykatën e Lartë/ ILDKPI, dyshime të forta mbi pasurinë e Alma Hickës (Detajet)


Gjyqtarja Alma Hicka duket se ka marrë mbështetjen e Edi Ramës për t’u emëruar si anëtare e Gjykatës së Lartë, pavarësisht dështimeve spektakolare të saj në drejtimin e Avokaturës së Shtetit dhe pas problemeve me pasurinë, të cilat janë konstatuar nga Inspektorati i Deklarimit të Pasurive, në kuadër të procesit të Vetingut.

Këshilli i Lartë Gjyqësor e miratoi së fundmi emrin e Hickës si kandidate potenciale për të marrë një vend vakant në Gjykatën e Lartë, ndërkohë që strukturat e Vetingut po vonojnë, në dukje qëllimisht, procesin e rivlerësimit të gjyqtares së Tiranës.

Të dhëna konfidenciale, të siguruara nga “Boldnews.al”, tregojnë se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) ka dorëzuar pranë institucionit të Vetingut një raport tejet problematik për Alma Hickën dhe bashkëshortin e saj, Envi Hicka, i cili nga ana e tij ka aplikuar dhe shpreson për një vend në Gjykatën Kushtetuese.

Por, megjithëse ILDKPKI ka dorëzuar raportin e tij prej disa muajsh pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK) dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED), procesi i Vetingut për bashkëshortët Alma dhe Envi Hicka ka mbetur pezull.

Probleme me pasurinë

“Boldnews.al” ka mësuar se ILDKPI, në raportin e tij për gjyqtaren Alma Hicka, ka konstatuar se deklarimi i saj:

1.Nuk është i saktë në përputhje me ligjin;

2.Nuk ka burime financiare të ligjshme për të justifikuar burimin e shumave hua nga babai;

3.Ka kryer fshehje të pasurisë;

4.Ka kryer deklarim të rremë;

5.Subjekti ka ushtruar funksionin në kushtet e konfliktit të interesve.

Burime konfidenciale të redaksisë shprehen se ILDKPI, gjatë kontrollit të pasurisë së subjektit Alma Hicka, ka zbuluar problematikat e detajuara, si më poshtë:

– Mosdeklarim i burimit të pasurisë për apartamentin me sip. 120.3 m2, Rr. Artan Lenja”, Tiranë, në vitin 2015;

– Mungesë dokumentacioni justifikues ligjor dhe burimi të ligjshëm financiar për krijimin e huasë në shumën 5.000.000 Lekë nga babai i gjyqtares Alma Hicka, në vitin 2015;

– Fshehje e apartamentit të banimit me sip. 90 m2 me adresë në rrugën “Brigada e Tetë”, Tiranë, në posedim të gjyqtares Alma Hicka;

– Përfitim i apartamentit me sip. 90 m2 me adresë në rrugën “Brigada e Tetë”, Tiranë, sipas aktmarrëveshjes për cedim kontrate nr. xxxx Rep., nr. xxxx Kol., datë 17.12.2012 në mënyrë të dyshimtë, pasi mungon dokumentacioni justifikues ligjor për marrëdhëniet juridike të babait të gjyqtares Alma Hicka me persona të tretë;

– Deklarim i rremë i të ardhurave rreth 12.000 Euro nga qira apartamenti për periudhën 2009 – 2011 në deklarimet e interesave private Periodike Vjetore 2009 – 2011 të gjyqtares Alma Hicka. Mungon dokumentacioni justifikues ligjor (kontratë qiraje) për këtë periudhë;

– Mosdeklarim i burimit hua në shumën 1.800.000 Lekë, nga babai i gjyqtares Alma Hicka për blerjen e automjetit Ford Kuga në vlerën 23.900 Euro;

– Shitja dhe blerja nga bashkëshorti i gjyqtares Alma Hicka për 5000 Lekë e aksioneve të një biznesi, që realizon xhiro tepër të konsiderueshme vjetore, është e dyshimtë. Mungon kontrata e shitjes nga z. Envi Hicka për 5 % të aksioneve në shoqërinë “Haxhia & Hajdari”si dhe nuk është deklaruar vlera e shitjes së tyre.

– Është e paqartë vlera 2.100.000 Lekë e paguar nga bashkëshorti i gjyqtares Alma Hicka si taksë regjistrimi në ZVRPP në vitin 2015;

Megjithatë, pavarësisht këtyre problematikave të shumta, Alma Hicka vijon të ushtrojë detyrën e gjyqtares së Tiranës, ndërkohë që po pret që Këshilli i Lartë Gjyqësor të “formalizojë” emërimin e saj si anëtare e Gjykatës së Lartë.

Dështime dhe konflikt interesi

Hicka, një juriste e njohur për bashkëpunimin me Erion Veliaj gjatë kohës që kryebashkiakut aktual i Tiranës drejtonte organizatën “Mjaft”, u katapultua në postin e Avokates së Shtetit nga Edi Rama, në vitin 2016.

Gjatë kohës që Avokatura e Shtetit u drejtua nga Hicka, institucioni u përfshi në një seri skandalesh profesionale, të cilat u pasuan me dështimin e shtetit shqiptar në procese të ndryshme Arbitrazhi dhe para Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ).

Së fundmi, qeveria shqiptare miratoi fondin prej 109 milionë euro, të cilat i duhen paguar biznesmenit italian, Francesko Beketi, pasi Avokatura e Shtetit, e drejtuar nga Hicka, dështoi të mbronte interesat e Shqipërisë.

Por, skandali më i rëndë që përfshiu mandatin e Hickës ishte dështimi i Avokaturës së Shtetit në Arbitrazhin ndërkombëtar përballë kompanisë “CEZ”.

Shqipëria humbi përballë kompanisë çeke, kryesisht për fajin e mbrojtjes së dobët të kryer nga Avokatura e Shtetit.

Për rolin e saj të dyshimtë, Kontrolli i Lartë i Shtetit e kallëzoi penalisht Hickën dhe zyrtarë të tjerë, pasi nga verifikimet rezultoi se marrëveshja e dështuar për shtetëzimin e kompanisë elektroenergjitike i shkaktoi shtetit shqiptar një dëm prej më shumë se 400 milionë euro.

Por, dështimi përballë “CEZ” është dyfish i rëndë për integritetin e gjyqtares Alma Hicka, në atë kohë Avokate e Shtetit.

Të dhënat e publikuara në media zbuluan se bashkëshorti i saj, Envi Hicka, kishte shërbyer shpesh si mbrojtës i interesave të kompanisë çeke “Cez”, duke ngritur dyshimet për konflikt interesi mes bashkëshortëve.

Këto dyshime janë konfirmuar zyrtarisht. Në raportin për pasurinë e Alma Hickës, drejtuar Komisionit të Vetingut, ILDKPKI ka konstatuar se “… bashkëshortët Alma dhe Envi Hicka kanë ushtruar funksionin në kushtet e konfliktit të interesit…”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *