Kryeministri Rama ka pohuar sot se marrëveshja e 5 qershorit mes partive politike nuk do preket në asnjë pikë.
Ai iu drejtua opozitës parlamentare nga foltorja e Kuvendit duke thënë se pavarësisht qëndrimit e kërkesave të tyre, kjo gjë nuk do ishte e mundur.
Kreu i qeverisë e paralajmëroi këtë një ditë më parë gjatë një bashkëbisedimit me gazetarët, ku tha se pavarësisht se marrëveshja e 5 qershorit nuk i pëlqente, ajo nuk do prekej.
“Dua t’ju jap një mesazh të gjithëve duke filluar nga i palodhuri i një tranzicioni i gjatë, Myslim Murrizi, deri tek deputeti i fundit. Nuk mund t’i merrni të gjitha, nuk mund t’i kërkoni të gjitha. Të gjithë së bashku duhet të bëjmë lëshimet tona. Është e pamundur që ne të votojmë së bashku me ju, në rast se ju nuk votoni së bashku me ne. Për ne marrëveshja e 5 qershorit nuk preket në asnjë pikë të sajën. E them këtë duke e përsëritur se mua marrëveshja e 5 qershorit nuk më pëlqen dhe ka një problem të madh që nuk kemi arritur dot të adresojmë rekomandimin kryesor të OSBE/ODIHR që është i përsëritur thuajse në të gjitha raportet depolitizimi i administratës zgjedhore. Ju e dini që ne kemi qenë vijimësisht këmbëngulës dhe madje kemi thënë që ne do ta bëjmë depolizitimin do apo nuk do PD, por ajo që e dallon sistemin demokratik nga ai kur vendos vetëm një parti është që duhet dhe të tërhiqesh, të bësh kompromise dhe kur nuk të pëlqen për hir të një interesi shumë më të madh” – deklaroi Rama.