Sipas rezultateve fillestare, koalicioni “Mundemi” i udhëhequr nga LSDM-ja në përbërjen e re parlamentare do të ketë 46 deputetë ndërsa koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja 44.
Ndërkohë BDI-ja ka fituar 15 mandate, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12, E Majta dy dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit një deputet, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.
Këto janë rezultatet e mbledhura nga 3.421 vendvotime të përpunuara nga gjithsej 3.480 vendvotime. Nëntë partitë dhe koalicionet e tjera që morën pjesë në zgjedhje nuk kanë fituar mandat deputetësh.

Koalicioni i LSDM-së ka më shumë vota 324.084 ose 36.12 për qind. VMRO-DPMNE-së ka 312.745 vota ose 34.85 për qind, BDI 101.432 ose 11.3 për qind, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 76.425 ose 8.57, E Majta 37.420 ose 4.17, ndërsa PDSH 13.563 ose 1.51 për qind.
Faqja e Komisionit Shtetëror të Zgjedhje vijon të ketë probleme dhe rezultatet janë të dukshme vetëm herë pas here.
Kreu i Komisionit, Oliver Derkovski tha se shkak për këtë janë bërë sulme të jashtme të hakerëve. KSHZ-ja paralajmëroi se sot, pas mbledhjes dhe përpunimit të të gjitha materialeve të arritura, do t’i komunikojë rezultatet fillestare të zgjedhjeve dhe shpërndarjen e mandateve parlamentare.