Gjykata e Kurbinit ka vendosur të lirojë nga qelia e paraburgimit, dy personat e arrestuar në Lezhë pasi mashtronin qytetarët se kishin ilaçe që do i shëronin nga Covid-i.
Gjykata vendosi masën “detyrim paraqitje” për 57-vjeçarin Frederik Frrokaj dhe nipin e tij 30-vjeçar, Henri Frrokaj, të dy banues në Mamurras.
Ata akuzohen se prodhonin ilaçe në mënyrë artizanale dhe ia shisnin qytetarëve me pretendimin se do t’i shëronte nga COVID-19, kundrejtë pageses 20.000 lekë të reja.
Dy personat ishin vënë nën hetim prej 2 muajsh, pas shqetësimeve se një mjek kishte shpikur një ilaç kundër Covid-it.
Frederik Frrokaj bënte postime në Facebook, ku bënte thirrje për prodhim të substancave për kurimin e virusit COVID-19 nga një përzierje e acidit klorhidrik me H2O, duke pretenduar se me këtë përzierje kishte shpikur ilaçin për kurimin e këtij virusi.
Gjatë operacionit të arrestimit, ai u kap duke i shitur ilaçin një klienti.
Nga kontrolli në banesën e tij u gjetën baza materiale, medikamente dhe preparate që shërbenin për të përgatitur ilaçin që këta shtetas tregtonin.
Frrokaj pasi bënte prodhimin e këtyre medikamenteve në kushte artizanale dhe jashtë kushteve laboratorike, në kushte shtëpie, ia jepte nipit të tij, i cili, pasi takonte personat e interesuar, ua shiste atyre kundrejt pagesës 20.000 lekë të reja, me premtimin se shëronin COVID-19.
Në banesën e 57-vjeçarit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë provës materiale dhe pesë pajisje mjekësore pa faturë tatimore, të cilat dyshohet se mund t’i ketë futur kontrabandë.