Vendosni fjalën kyçe....

PE ripublikon deklaratën e 3 eurodeputetëve, por me një ndryshim


Parlamenti Europian ka ripublikuar sot deklaratën e tre përfaqësuesve të saj, të majtë dhe të djathtë për çështjen e ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri.

Por ka një ndryshim.

Tre eurodeputetë të Parlamentit Europian dje kërkonin miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim. Ata janë: Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, David McAllister, (PPE, Gjermani), raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Isabel Santos, (Socialistët Europianë, Portugali) dhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit për Shqipërinë, Manolis Kefalogiannis, (PPE, Greqi).

 “Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis Qeverisë dhe Opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i Marrëveshjes pa arritur një konsensus me të gjitha partitë politike, mund të rrezikojë realizimin e Konferencës së Parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për rrjedhojë të ngadalësojë procesin e integrimit europian”.– thuhej në deklaratën e djeshme.

Çfarë ndryshoi sot?

Sot është hequr paralajmërimi se çdo modifikim mund të ngadalësojë procesin e Integrimit Europian, dhe thuhet që dialogu dhe konsensusi është i rëndësishëm për të thirrur konferencën e parë për negociatat e anëtarëimit të Shqipërisë në BE.

“Ne presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa dëmtuar konsensusin e arritur midis qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Është e rëndësishme të arrihet një marrëveshje, të ruhet dialogu dhe konsensusi me të gjitha partitë politike, në mënyrë që të mund të thirret konferenca e parë për negociatat e anëtarësimit, dhe për këtë arsye të vazhdojë procesin e integrimit evropian”.- është deklarata e publikuar sot nga PE.

 

Vazhdimi i deklaratës

Secili vend është i lirë të vendosë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit kombëtar dhe konsensusit. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë që çdo ndryshim në kodin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duke filluar të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara.

Ne besojmë se Shqipëria do t’i respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushat kryesore të reformës.

Parlamenti Evropian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit evropian dhe është i gatshëm të punojë me Parlamentin shqiptar në lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit mbi reformat thelbësore në fushat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe përgjegjshmërisë, që janë të domosdoshme për integrimin e vendit në të ardhmen në BE.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *