Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike, pas votimit të ndryshimeve kushtetuese për hapjen e listave dhe koalicionet parazgjedhore.
Rama thotë se PS nuk ka asnjë detyrim ndaj PD-së e LSI-së përveç marrëveshjes së 5 qershorit, e megjithatë i përgjigjet ftesës së Lulzim Bashës, për të diskutuar përsëri në Këshillin Politik çështjet që nuk janë trajtuar në paktin e 5 qershorit. Ai thotë se është i gatshëm të shkojë vetë në tryezën e Këshillit Politik që të hënën, për të bindur opozitën për ndryshimet kushtetuese.
“PS nuk ka asnjë obligim ndaj PD-LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë!
PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD-LSI për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!”- shkruan Rama.