Pas katër ditësh dëshmi në Gjykatën e Hagës, presidenti i Kosovës, Thaçi, ka mbërritur në aeroportin e Rinasit dhe prej këtej do niset drejt Prishtinës.
Ai do kalojë në pikën kufitare të Morinës rreth orës 19:30 të ditës së sotme ndërsa ka njoftuar se nesër në orën 20:00 do japë më shumë informacione lidhur me qëndrimin e dëshminë e tij në gjykatë.
“Sapo kam zbritur në Tiranë, nga kthimi prej Hagës dhe në mbrëmje do të arrij në Kosovë. Nesër në orën 20:00 do të flas për katër ditët e kaluara në Hagë. Ju uroj një fundjavë të bukur. Ju siguroj se askush nuk mund ta rishkruajë historinë tonë!” – shkruan Thaçi në Facebook.
Presidenti i Kosovës ishte për katër ditë me radhë në Gjykatën e Hagës ku u mor në pyetje lidhur me akuzat ndaj për rrëmbim personash, torturë e vrasje gjatë kohës së Luftës së Kosovës.