Vendosni fjalën kyçe....

Vdes nga kanceri John Lewis, ikona e të drejtave civile në SHBA


Ndahet nga jeta në moshën 80-vjeçare John Lewis, një prej ikonave që mbrojti të drejtat civile dhe anëtari i vjetër i Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara.

Lewis ishte një nga gjashtë drejtuesit e mëdhenj të të drejtave civile “Big Six”, ku bënte pjesë edhe Martin Luther King Jr, dhe ndihmoi në organizimin e Marshimit historik të 1963-shit në Washington.

John Lewis duke folur para turmës në marshimin historik të 1963-shit në Washington

Ai ishte një kongresmen demokrat nga Xhorxhia dhe përfaqësonte një zonë që mbulonte pjesën më të madhe të kryeqytetit – Atlanta.

Në dhjetor të 2019-ës, Lewis zbuloi se vuante prej disa kohësh nga kanceri në pankreas, dhe se ishte në Fazën e 4.

“Unë kam qenë në një lloj lufte për lirinë, barazinë, të drejtat themelore të njeriut për gati gjithë jetën time. Unë kurrë nuk jam përballur me një luftë si kjo që kam tani.”- tha ai në një deklaratë të lëshuar në atë kohë, citon BBC.

Kryetarja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, konfirmoi vdekjen e Lewis në një deklaratë.

Ajo shkroi se Lewis “ishte një titan i lëvizjes për të drejtat civile, mirësia, besimi dhe trimëria e të cilit e transformuan kombin tonë”.

Lidhur me vdekjen e tij ka reaguar edhe ish-presidenti Barack Obama.

“Ai e deshi këtë vend aq shumë, saqë e rrezikoi jetën e vet dhe gjakun e vet që ta bënte ashtu si kishte premtuar. Përgjatë dekadave, ai jo vetëm që dha gjithçka nga vetja për kauzën e lirisë dhe drejtësisë, por frymëzoi gjenerata që u përpoqën ta ndiqnin shembullin e tij”, tha Obama.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *