Gati katër milionë njerëz janë zhvendosur dhe së paku 189 kanë vdekur nga përmbytjet që kanë përfshirë pjesën verilindore të Indisë dhe Nepalin. Dhjetëra njerëz janë zhdukur.
Lumi Brahmaputra, i cili ka dalë nga shtrati pas reshjeve të mëdha dhe i cili rrjedh nëpër Tibetin e Kinës, Indi dhe Bangladesh, i ka dëmtuar të mbjellat dhe ka shkaktuar rrëshqitje të dheut, duke i detyruar miliona njerëz që të zhvendosen.
Më shumë se 2.75 milionë njerëz në rajonin Asam janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre gjatë tri valëve të përmbytjeve që nga maji, me ç’rast kanë humbur jetën 79 persona. Dy të vdekur u shënuan vetëm mbrëmjen e kaluar, bëri të ditur një zyrtar qeveritar.
“Gjendja e përmbytjeve mbetet kritike pasi shumica e lumenjve janë mbi pragun e nivelit të rrezikshëm”, tha ministri rajonal i burimeve të ujit, Keshab Mahanta.
Përpos përmbytjeve, India është duke u përballur në të njëjtën kohë edhe me koronavirusin. Deri më tani, në këtë shtet janë regjistruar mbi 1.1 milion të infektuar dhe më shumë se 26,800 të vdekur.