Dy persona janë arrestuar në Cërrik pasi janë kapur me 2.6 kg kanabis.
Droga dy të rinjve me iniciale E.S dhe R.D iu gjet në marketin me pronar shtetasin E.S.
Policia e Shtetit:
Finalizohet operacioni policor “Marketi”, i ndjekur me metoda speciale hetimi, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Cërrik.
Sekuestrohen një sasi kanabisi dhe një aparat celular.
Vihen në pranga pronari dhe punëtori i një marketi.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se 2 shtetas merreshin me shitjen e lëndës narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Marketi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. S., 31 vjeç dhe R. D., 22 vjeç, të dy banues në Cërrik.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në marketin me pronar shtetasin E. S. dhe punëtor shtetasin R. D., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 2.6 kg lëndë narkotike kanabis dhe një aparat celular.
Vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.