Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi, ka deklaruar pas përfundimit të tryezës së Këshillit Politik se i ka kërkuar kryeministrit Rama informacion mbi datën e miratimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 qershorit mes palëve për zgjedhjet e ardhshme.
Ai theksoi se opozita e bashkuar i qëndron marrëveshjes në fjalë e cila duhet miratuar në Kuvend pa ndryshime.
Bardhi tha gjithashtu se Rama kërkon rihapjen e një marrëveshjeje për të cilën ka qenë dakord më herët.
“Për gjashtë muaj Këshilli Politik ka qenë një punë të vijueshme për të dakordësuar çështjet që lidhen me zgjedhjet. Më 5 qershor të gjitha palët nënshkruan një marrëveshje. Sot kërkuam informacion nga Rama mbi angazhimin e tij për miratimin pa ndryshime të kësaj marrëveshje në Kuvend. Nuk kemi marrë përgjigje se kur marrëveshja do miratohet pa ndryshime. Dua të konfirmoj që ne i qëndrojmë marrëveshjes së 5 qershorit. Nga ajo marrëveshje të gjitha palët nuk morën gjithçka kërkuan, por u mbështet nga partnerët tanë. Sot na u konfirmua që ne do duhet të rihapim edhe njëherë çështje që i kemi nënshkruar në marrëveshjen e 5 qershorit. Ne thamë se nuk mund të hedhim në kosh punën gjashtëmujore. Na u pohua se PS-ja kërkon të rihapë çështje, për të cilat kemi rënë dakord.” – tha ndër të tjera Bardhi.