Vendosni fjalën kyçe....

Basha takon Osmanin në Kosovë: I shpreha angazhimin tim për një muze të kujtesës


Kreu i Partisë Demokratike në vazhdën e takimeve me politikanë në Kosovë zhvilloi një bashkëbisedim edhe me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani.  

Basha thotë se në bisedime u ndal në dialogun e Kosovës me Serbinë, projektet e përbashkëta infrastrukturore dhe mbështetjen që duhet të japë Shqipëria.

Gjithashtu Basha, i ka dalë në mbështetje Osmanit për të ndërtuar një muze të kujtesës në Kosovë për gjenocidin serb ndaj popullsisë shqiptare.

Postimi i plotë:

Me kënaqësi të veçantë bashkëbisedova sot me Kryetaren e Parlamentit të Kosovës, zonjën Vjosa Osmani, të cilën e njoh dhe personalisht prej gati 20 vitesh, dhe më vjen mirë që një përfaqësuese politike e brezit të ri drejton njërin prej institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.

I theksova zonjës Osmani, se ashtu siç mblidhemi bashkë në gëzime, duhet të dimë të jemi bashkë edhe në sfida. Ndihma më e mirë që Shqipëria mund të japë, ashtu siç ka bërë në ditët e pavarësimit dhe njohjes së saj ndërkombëtare, apo koordinimit të projekteve të mëdha infrastrukturore, që afruan vendet tona, ashtu dhe në sfidat e tanishme, ajo sot duhet, dhe nesër do të jetë patjetër, mbështetje totale për institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës, kudo ku ata do të kenë nevojë.

Diskutuam edhe për dialogun mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Natyrisht dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara, por objektivi kryesor i tij, është njohja reciproke mes dy shteteve te pavarura.

Zonja Osmani më shprehu shqetësimin për mungesën e nje muzeu, për të përkujtuar sot e për t’ua lënë si dëshmi brezave që do të vijnë, vuajtjet, dhunën, genocidin e ushtruar ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Shpreha angazhimin dhe përkushtimin tim që Shqipëria do t’i bashkohet përpjekjeve për të ngritur muzeun e kujtesës, në mënyrë që të mos harrojmë të shkuarën, e mbi sakrificën e atyre që dhanë jetën, të ndërtojmë të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *