Eksperti i Partisë Demokratike për Çështjet Zgjedhore, Ivi Kaso deklaroi se opozita e bashkuar nuk është dakord me propozimet e Kryeministrit Edi Rama mbi ndryshimet kushtetuese.
Sipas Kasos ndryshimi i sistemit nuk duhet të bëhet pa dakordësi pasi kjo çështje u ezaurua edhe nga Këshilli Politik por nuk u arrit një marrëveshje por vetëm pikat që u firmosën në 5 qershor.
Më tej Kaso, shtoi se çështja e ndryshimit të sistemit duhet të adresohet në një moment tjetër dhe jo në këto zgjedhje.
“Qëllimi ishte të diskutoheshin ndryshimet kushtetuese, dhe arsyetimi përkatës dhe pse kishin një efekt të drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor. Në fakt u hapën çështje që ishin ezauruar në marrëveshjen e 5 qershorit.
Një nga ato ishin edhe ndryshimi i sistemit. Dhe ashtu siç shprehen edhe palët dhe siç e kanë konstatuar edhe faktori ndërkombëtar, nuk ka pasur nga palët një dakordësi.
Kjo është një çështje e hapur që mund të adresohet në një moment tjetër, por jo këto zgjedhje.
Për ne nuk ekziston 30 korriku, është një datë e përcaktuar nga Edi Rama që kërkon të ndryshojë Kushtetutën më 30 korrik. Këto nuk mund të imponohen nga Edi Rama sipas një kalendari të dakordësuar nga ai.
Ia bëmë të qartë Ramës që këto ndryshime nuk bëhen në këto zgjedhje. Nuk është një çështje që siç synon Rama të bëhet për 10 ditë”-tha Kaso në Syri Tv.