Ditën e sotme do të rimblidhet Këshilli Politik në orën 11:00, lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita parlamentare dhe të mbështetura fort edhe nga kryeministri Edi Rama.
E këtë radhë në tryezë do të jetë edhe vetë Rama.
Deputetët e opozitës parlamentare kanë propozuar të bëjnë ndryshime në nenin 64 dhe 68 të Kushtetutës, të mbështetur edhe nga maxhoranca, për të hequr koalicionet parazgjedhore, vendosjen e një pragu kombëtar dhe hapjen e pjesshme të listave.
Por kjo nismë është kundërshtuar fort nga opozita jashtë parlamentit dhe nga ndërkombëtarët.
Vetëm një ditë para mbledhjes së Këshillit Politik, ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut, juristi Ledi Bianku, solli një vendim të Gjykatës së Strasburgut, ku thuhet qartë se pragu elektoral nuk mund të ndryshohet nëse nuk lejohen koalicionet dhe nëse vendi nuk ka një Gjykatë funksionale Kushtetuese.
“Për kujtesë, Këshillit Politik etj. – në Yumak dhe Sadak k. Turqisë, 2008, Gjykata e Strasburgut u shpreh se pragu elektoral mund të pranohet, por kur ka sisteme korrigjuese të tilla si koalicionet zgjedhore dhe kur ka garanci institucionale dhe procedurale – Gjykata Kushtetuese”- shkruante Bianku.
Takimi i kësaj të hëne është thirrur nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se ishte dhe vetë i gatshëm të ulej në tryezë për të diskutuar për këtë çështje.
Ai ftoi edhe kreun e PD-së Lulzim Basha, i cili në fakt sot do të jetë në Kosovë, si dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi.
Rama ftoi dhe presidentin Ilir Metën t’i bashkohej tryezës por presidenti nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen.