Partia Demokratike ka denoncuar kryeministrin Rama se po provon të ndryshojë Kushtetutën për të hequr koalicionet.
Në një videomesazh, Sekretari i Përgjithshëm, Bardhi, thotë se kryeministri po gënjen për qëllimin e vërtetë të ndryshimit me shpejtësi të Kushtetutës.
Sipas Bardhit, dokumentet zyrtare të Komisionit të Ligjeve faktojnë se Rama gënjen dhe se qëllimi i vërtetë i ndryshimit të njëanshëm kushtetues është heqja e koalicioneve parazgjedhore.
“Video-fakt: Edi Rama gënjen. Kushtetutën po tenton ta ndryshojë për të hequr koalicionet parazgjedhore. Sa herë hap gojën, Edi Rama gënjen për qëllimin e vërtetë të ndryshimit me urgjencë dhe në mënyrë të njëanshme të Kushtetutës. Kjo lojë e pistë po i nxjerr në pah tmerrin që ka nga zgjedhjet dhe humbja e pushtetit. Shikojeni vetë me zë dhe me figurë! Shikoni dhe dokumentat zyrtare të Komisionit të Ligjeve, që e faktojnë një kryeministër, i cili gënjen pa u skuqur. Me firmën e Gramoz Ruçit, shkruhet e zeza mbi të bardhë se qëllimi i ndryshimit të njëanshëm të kushtetues është heqja e koalicioneve parazgjedhore. Asnjë gënjeshtër e Edi Ramës nuk e mbulon dot këtë të vërtetë!” – shkruan Bardhi.