Vendosni fjalën kyçe....

Bushati kundër propozimit të Cakajt për ambasador në Greqi: Jemi në paligjshmëri, po shkelet tradita 100-vjeçare


Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka folur ashpër lidhur me propozimin e pasardhësit të tij në detyrë, Gent Cakaj, për ambassador të Shqipërisë në Greqi.

Pasi shkarkoi ambasadoren Ardiana Hobdari, Cakaj propozoi vajzën e ish- ministrit të ndjerë të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga, Luela Hajdaraga.

Por Bushati është kundër këtij propozimi, që sipas tij po ndryshon traditën 100-vjeçare të diplomatëve shqiptarë të spikatur në Greqi.

Ish-ministri i Jashtëm kujton dy kushtet për t’u bërë ambassador, ndërsa pretendon se po veprohet në paligjshmëri me këtë propozim.

Sipas Bushatit, pa u shprehur Presidenti me dekret nuk mund të ndërmerren veprime.

“Ambasador bëhesh në dy mënyra, ose duke pas një karrierë të pandërprerë në shërbimin e jashtëm, të kesh gradën ‘Këshilltar’, ose do të vish nga jashtë karriere, ku sërish kandidati duhet të ketë 10 vite përvojë pune në shërbimin e politikës së jashtme. Unë prisja që Sekretari i Përgjithshëm të sillte praktikën. Procesin duhet ta drejtojë Sekretari i Përgjithshëm, duhen administruar kandidaturat. Në e-mailin tonë nuk ka ardhur asgjë, për pasojë edhe Sekretari i Përgjithshëm nuk ishte në gjendje për të bërë shpjegimin. Nuk mund të merret veprim pa u shprehur Presidenti me dekret. Prisja që Sekretari i Përgjithshëm minimalisht të na thoshte pse është bërë ky ndryshim në traditën 100-vjeçare, si dhe nëse jemi në kushtet e ligjshmërisë. Nuk jemi në kushtet e ligjshmërisë.

Tjetra ka të bëjë me përgjegjësinë dhe dinjitetin e diplomatit. Këtu ka dhe njerëz të tjerë që kanë eksperiencë në raport me shërbimin e jashtëm. Prisja sot që Sekretari i Përgjithshëm të mbronte dinjitetin e diplomatëve. Kur një diplomat shpallet ‘non grata’, sërish kjo procedurë bëhet në mënyrë mjaft diskrete. Lëre më të ushqehet media me deklarime për shpartallime celulash nëpër ambasada, apo për shkarkime masive. Sekretari i Përgjithshëm e di shumë mirë, ka qenë në krahun tim të majtë, kur e kemi mbrojtur këtë ligj në të gjitha debatet maratonë në Kuvend. Në këtë kohë pandemie, një pjesë e mirë ae ambsadave tona janë përpjekur të bëjnë një punë maksimale. Dua të mbështesim gjithë brezin e ri, si Luela, por i gjithë procesi duhet mbështetur në traditën 100-vjeçare, pa e ndryshuar, ku që nga viti 1923 kemi pas në Greqi diplomatë të spikatur”, deklaroi Bushati në mbledhjen e sotme të Komisionit të Jashtëm.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *