Vendosni fjalën kyçe....

Lulzim Basha takohet me Shpend Ahmetin: Larg protagonizmit të pavend që sjell dëme


Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi sot një takim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

Ahmeti tha se e priti me kënaqësi Bashën, ndërsa theksoi se kanë rënë në një mendim se nevojitet një kohezion politik në Kosovë, mes të gjitha forcave poltike.  Ato në pushtet dhe të opozitës. Ahmeti tha se ndihma e Shqipërisë është më e nevojshme se kurrë në këtë periudhë të vështirë për Kosovën.

“Pata kënaqësinë dhe pse jo për herë të parë, të pres kryetarin e PD-së këtu në komunën e Prishtinës.

Po e quaj Luli se me Lulin jemi shumë të njohur madje unë thashë është kosovar se ka jetuar këtu pas luftës, e njoh prej kohësh që kur ka qenë në punë në Kosovë e kemi vazhduar komunikimin edhe kur fitova unë ishte kryetar bashkie në Tiranë.

E falenderoj shumë sepse është interesuar shumë për Kosovën.

Nevojitet një kohezion mes shtetit të Kosovës, por edhe me më rëndësi është kordinimi i faktorit politik shqiptar në përgjithësi. Këtu nuk nënkuptoj vetëm forcat politike që janë në pushtet, por edhe opozitën dhe të gjitha subjektet politike që kanë një ndikim për të qenë sa më të kordinuar në muajt në vijim.

Është periudhë e vështirë për Kosovën, ndihma e Shqipërisë është më e nevojshme se kurrë.

Falenderoj Lulin që është gjatë gjithë kohës i interesuar për Kosovën”–  tha Ahmeti.

Kryedemokrati Lulzim Basha ndan të njëjtim mendim me Ahmetin për një kohezion të forcave politike në Kosovë duke respektuar rregullat e demokracisë.  Ndërsa shtoi se për proceset e rëndësishme si ai i dialogut me Serbinë kërkohet një bashkërendim mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Sipas Bashës, shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana për Prishtinën, është të qëndrojë larg protagonizmit të pavend.

“I dashur Shpend, vij me kënaqësi këtu në Komunën e Prishtinës, vendi ku më keni dhënë dhe titullin qytetar nderi. Qytetar jam dhe nip Kosove jam, pjesën e nderit sigurisht duhet ta fitojmë vazhdimisht.

Përpjekjet që kemi bërë në të shkuarën qoftë në drejtim të diplomacisë shqiptare, qoftë në ndërtimin e Rrugës së Kombit, janë një përvojë e vyer për mua por edhe për bashkëveprimin me Prishtinën. Dhe angazhimi i parë që kam marrë gjatë kësaj vizite në Prishtinë, është që bashkëpunimi mes Tiranës dhe Prishtinës të jetë i plotë dhe i sinqertë dhe në funksion e në mbështetje të institucioneve të Republikës së Kosovës, e të forcave politike të Kosovës. Ky është shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana, larg protagonizmit të pavend, dhe larg iniciativave të pakonsultuara, të cilat kanë sjellë dëme të cilat duhet të rikuperohen dhe mund të rikuperohen vetëm përmes një përqasje si ajo që siguroi shpalljen e pavarësisë, njohjen e Kosovës masivisht nga anëtarët e komunitetit ndërkombëtar dhe më tej përparimin e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik me liberalizimin e vizave, dhe anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO.

Është një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por e mundur.

Megjithatë në sfidat aktuale që po kalojmë, pata mundësinë të theksoj me kryetarin e Komunës së PRishtinës që pavarësisht se është një drejtues vendor i komunës më të madhe në Ksoovë, ka një përvojë të gjatë dhe të çmuar politike kombëtare dhe ndërkombëtare. E para ka një rëndësi shumë të madhe një kohezion real i forcave politike në Kosovë duke respektuar rregullat e demokracisë. Demokracia ka një maxhorancë, ka minorancë, ka qeveri, ka opozitë, pork a edhe qëllime të përbashkëta komnbëtare, shtetërore siç janë ato që po imponojnë dhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe që kërkojnë vërtet një bashkërendim dhe gjuhë të përbashkët, objektiva të përbashkëta dhe veprim të përbashkët. Shpresoj që hapësira institucionale që po krijohet të shërbejë për një bashkëveprim mes forcave politike.

Dhe e dyta po kaq e rëndësishme, u dakorduam se procese të tilla si ecja përpara me dialogun për njohjen e Kosovës dhe republikës së Serbisë shërbehen më mirë nga bashkëpunimi strategjik i shtetit shqiptar dhe kombit të Kosovës, që janë SHBA dhe BE.

Kam gjithmonë kënaqësi të ndaj pikëpamjet me Shppendin dhe ti uroj uksese në drejtimin e qytetit.”– tha Basha.

I pyetur nga gazetarët, në lidhje me propozim-aktakuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Basha theksoi se askush dhe asgjë nuk mundet ta njollosë luftën çlirimtare që ishte luftë mbrojtjeje ndaj agresorit sipas tij. Ndërsa theksoi rëndësinë e mbështetjes së Kosovës nga Shqipëria, Basha shtoi se në disa aspekte është Shqipëria që duhet të marrë mësim nga Kosova.

“Unë nuk flas se çfarë duhet të ishte qasja, unë flas se çfarë është qasja ime, e PD dhe opozitës së bashkuar sot dhe qeverisë nesër. E para një mbështetje totale e pakushtëzuar dhe e pa rezervuar për të gjitha vendimet e institucioneve dhe forcave politike të Kosovës, të cilat kanë akumuluar në këto vite një përvojë të shkëlqyer dhe kanë treguar se dinë të përballen me mençuri dhe maturi dhe me vendosmëri me sfida si këto dhe madje më të rënda se këto. Nuk ka vend për mësimdhënie, madje në disa aspekte siç është demokracia, zgjedhjet, edhe mund të marrim mësim. S’ka pse të kemi turp se ne një familje jemi, një komb jemi, edhe mund të marrim mësim nga Kosova.

Por nga ana tjetër dua të theksoj se shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Kosovës në këtë moment është heqja dorë nga protagonizmi i pavend që mund të perceptohet, ose me të vërtetë është një farë keqpërdorimi i çështjeve të Kosovës për konsum të bdrenshëm dhe vënia në dispozicion të Kosovës të të gjithë kapacitetit administrative shtetëror, diplomatic dhe politik, të Republikës së Shqipërisë dhe çdo force politike në Shqipëri dhe drejtuesve të saj.

Sa i përket çështjeve të gjykatës, unë e kam theksuar edhe në takimet e djeshme, e para e punës askush dhe asgjë s’mund ta njollosë luftën çlirimtare të Kosovës, e bijve dhe bijave të Ksoovës kundër një agresioni dhe agresori me synim genocide dhe spastrim etnik të Kosovës. Unë vetë jam një produk i një spastrimi etnik që i detyroi gjyshërit e mi të largohen.”– deklaroi kryedemokrati.

 

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *