Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta aktori i njohur fierak, Fuat Boçi


Ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare aktori i mirënjohur nga Fieri, Fuat Boçi.

Aktori ka ndërruar jetë në shtëpinë e tij në qytetin e Fierit dhe do përcillet për në banesën e fundit sot rreth orës 12:00.

Fuat Boçi lindi në vitin 1931 në Voshtinë  dhe në vitin 1938 familja e tij u shpërngul në Fier.

Rrugën e artit Boçi e nisi qysh në moshë të re. Nga elektricist, kino-mekanik, ai u bë edhe artist. E më pas nga një artist amator, arriti majat e larta si profesionist në teatrin “Bylis” të Fierit.

Boçi spikati për talentin e tij si aktor komik dhe si këngëtar në vitet e ushtrisë dhe është një ndër aktoret themelues të Estradës së Fierit, në 1957-ës. Në vitin 1965, vijoi studimet në liceun artistik “Jordan Misja”, pa shkëputje nga puna.

Ai ka luajtur shumë role, mbi 600, por ka spikatur në rolet e personazheve si: Lipe Shtogu, Belul Gjeraqina dhe Llazi.

Boçi mbetet i dashur për publikun edhe në rolet e Zenelit te komedia “Pas vdekjes” e Çajupit, Sotiri tek komedia “Një budalla e gjysëm”.

Për rolet e spikatura dhe punën e tij të palodhshme Fuat Boçi ka marrë titujt “Artist i Merituar” dhe “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *