Vendosni fjalën kyçe....

Pacientë me Covid shtrohen në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit? QSUT: Si është e vërteta


Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka hedhur poshtë informacionet se janë shtruar raste të diangostikuara me virusin Covid-19 në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit.

Në njoftimin zyrtar, thuhet kjo s’ka ndodhur kurrë dhe se pacientët që dyshohen si të infektuar, izolohen në bokse të veçanta pa pasur kontakt me pacientët e tjerë. Nëse tamponi rezulton pozitiv, atëhere ata transferohen në Spitalin Infektiv.

“Mbi lajmet që dezinformojnë opinionin public. Lidhur me pretendimet e publikuara në rrjetet sociale, mbi trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit, Drejtoria e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” sqaron opinionin publik sa më poshtë:

Në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit nuk janë trasferuar kurrësesi raste të diagnostikuara me virusin Covid-19.
Pacientët që paraqiten në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUNT, mund të kenë nevoja urgjente mjekësore për ndërhyrje reanimatore. Çdo pacient që transferohet në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit nga urgjenca apo shërbime të tjera, merr ndihmën e parë të menjëhershme, pasi janë pacientë që mund t’ju rrezikohet jeta, në mungesë të shërbimin mjekësor të ofruar.
Pacientët që dyshohen si të infektuar me virusin Covid-19, izolohen në bokse të veçanta pa pasur kontakt me pacientët e tjerë; dhe stafi mjekësor manipulon duke përdorur të gjitha mjetet mbrojtëse për të parandaluar përhapjen apo infektimin me virusin Covid-19.
Për rastet e dyshuara, nëse përgjigjia e tamponit del pozitive atëherë bëhet transferimi i pacientëve në Spitalin e Sëmundjeve Infektive.”– thuhet në njoftim.

Por në rastet kur pacientët janë në gjendje të rënduar, dhe është i pamundur transferimi i tyre ata mbahen në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit.

“Vetëm në rastet kur pacientët paraqesin një gjendje tejet të rënduar dhe është i pamundur transferimi në Spitalin e Sëmundjeve Infektive për shkak se mund t’u rrezikohet jeta pacienteve, ata vijojnë të marrin trajtimin mjekësor në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit, duke zbatuar masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Në Shërbimin e Anestezi Reanimacionit nuk ka patur asnjëherë mungesa të materialeve mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19.
Në lidhje me pretendimin për mungesën e aparaturave, informojmë që Sherbimi i Anestezi Reanimacionit është i pajisur me aparaturat dhe pajisjet mjekësore bashkëkohore si aspiratorë, respiratorë, shiringa elektrike, monitorë etj., që janë në funksion dhe në shërbim të pacientit dhe plotësojnë të gjitha nevojat për dhënien e ndihmës mjekësore nga personeli.
Pacientët me Covid-19 trajtohen në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive dhe së fundmi edhe në Spitalin Covid 2, i krijuar posaçërisht për të përballuar fluksin e pacientëve të infektuar; gjë e cila po arrihet në saj të punës së palodhur dhe të pandalur të personelit mjekësor, të cilët i inkurajojmë të vijojne betejën e nisur me këtë virus të panjohur për të gjithë ne.”- vijon njoftimi.

Ish-deputeti demokrat Bardh Spahia denoncoi dje se pacientët me Covid po dërgohen tek reanimacioni qendror, vetëm për të mos i regjistruar si pacientë të infektivit.

Reanimacioni qendror, sipas tij është shndërruar në një repart jo zyrtar të Covid-it, duke mos pasur mbrojtjen e duhur dhe me mangësi të theksuara në mjete.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *