Kryeministri Edi Rama pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Politik këtë radhë pa pjesëmarrjen e opozitës së bashkuar e thirrur për të diskutuar marrëveshjen e firmosur ditën e djeshme me grupet parlamentare e cila do mundësoje votimin e dakordësisë për “zgjedhoren” dhe ndryshimet kushtetuese.
Rama e quajti absurd mos-pjesëmarrjen e opozitës së bashkuar në këtë takim.
“Kishim një diskutim me një grup të ekspertëve të Këshillit Politik që kanë ndjekur procesin, Damiani mbase sqaron më mirë në aspektin e pretendimit që është shprehur PD-ja. Ne erdhëm për të shprehur jo vetëm vullnetin, por edhe gatishmërinë për të diskutuar mbi çdo gjë që është e paqartë, që ka krijuar keqkuptim, apo mos kuptime të caktuara për risitë kushtetuese. Është në interesin e PD-së që të zhvillojë këtë proces, sepse faktikisht ky këshilli e ka kryer misionin e vet me marrëveshjen e 5 qershorit dhe nga ana tjetër pas 30 korrikut jeta politike vazhdon. Do të na duhet të reflektojmë në ligjin zgjedhor ç’ka kushtetuta lidhur me listat e hapura do të imponojë dhe më duket absurde që të bojkotohet diskutimi lidhur me këtë.
Duhet ta përsëris nuk jemi në kushtet e një vendi pa institucione dhe parlament dhe mos ekzistenca imagjinare e parlamentit nga opozita jashtë parlamentit nuk e bën parlamentin inekzistent. Pavarësisht se PD-ja dhe aleatët e saj u arratisën duke braktisur detyrën janë pjesë e këtij realiteti politik dhe mohimi do të ishte i padrejtë, jo me personazhet, por me qytetarët. Jam i keqardhur, se është një kohë e shkurtër. Kemi konsensus me forcat parlamentare dhe kushtetshmëri me ligj dhe zakon nuk kemi asnjë hall të posaçëm, por mendoj që kemi bërë gjënë e duhur, edhe sot. Sa i përket pretendimit që të mblidhemi për ç’ka është nënvizuar nga pala që refuzoi që të merrte pjesë, mendoj që Damiani mund të japë një sqarim se e njeh më mirë se unë procesin“-tha ai.