Liverpooli ka mposhtur Chelsean 5:3 në një ndeshje dramatike, duke e nisur në mënyrën më të mirë të mundshme ahengun e festimit të titullit të cilit do ta çojë lart sonte në Anfield.
Të kuqtë u shpallën kampionë të Premierligës shtatë javë para përfundimit të sezonit dhe sonte do ta fusin në dorë trofeun e parë të Premierligës dhe të 19-n në histori të klubit.
Kremtimin e titullit e nisi në mënyrë mbresëlënëse skuadra e Kloppit, duke e krijuar një epërsi prej tre golave në 43 minutat e parë, kur Naby Keita, Trent-Alexander Arnold dhe Georginio Wijnaldum shënuan gola të mrekullueshëm.
Një fije shprese për rikthimin në lojë Chelseat i ofroi Olivier Giroud, i cili shënoi në fund të pjesës së parë.
Por Liverpool i ngriti në tre gola epërsinë përsëri, kur Roberto Firmino shënoi për 4:1 në minutën e 55-të. Ky ishte goli i parë i brazilianit në Anfield këtë sezon.
Aftësitë mahnitëse të Christian Pulisic e rikthyen skuadrën e Frank Lampardit në lojë një çerek para së të mbarojë ajo.
Amerikani e shërbeu Tammy Abrahamin duke i dribluar pesë futbollistë të Liverpoolit, para se të shënonte edhe vetë për 3:4.
Por gjashtë minuta parafundit, Oxlade-Chamberlain i fundosi të kaltrit duke shënuar për 5:3 për Liverpoolit.
Me këtë humbje, Chelsea nuk e siguron pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, por e ka edhe një mundësi në ndeshjen e fundit në ligë, kur e pret Wolves në Stamford Bridge në fundjavë.