Vendosni fjalën kyçe....

KLGJ-ja merr disa vendime, i ofron Dvoranit vend pune në Gjykatën e Apelit


Këshilli i Lartë Gjyqësor ka marrë disa vendime në mbledhjen e sotme mes të cilave edhe ofrimi i një pozicioni si gjyqtar në Gjykatat e Apelit për ish-kreun e KED-së, Ardian Dvorani.

Këtij të fundit i është ofruar të zgjedhë pozicionin e tij në njërën nga Gjykatat e Apelit, përkatësisht në:

Gjykatën e Apelit Tiranë

Gjykatën e Apelit Administrativ

Gjykatën e Apelit Durrës

Gjykatën e Apelit Korçë

Gjykatën e Apelit Gjirokastër

Gjykatën e Apelit Shkodër

Po kështu  KLGJ-ja hodhi poshtë sot kërkesën e Arian Gaçit për t’u rikthyer në KLGJ.

Njoftimi zyrtar

Në vijim Këshilli, pasi u njoh me dokumentacionin përkatës, vendosi pezullimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga znj. Ariana Gaçi, për rikthimin e saj në funksionin e Këshilltarit të Gjykatës së Lartë.

Kjo vendimmarrje u bë për shkak të kërkesës saj të paraqitur për shqyrtim para Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Më tej, mbledhja vijoi me shqyrtimin e relacionit mbi situatën e pritshme të caktimin në pozicion të të sapodiplomuarve për magjistratë.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi që t’i kërkojë Shkollës së Magjistraturës, si organi kompetent që bën renditjen e kandidatëve për magjistratë, të unifikojë listën e të diplomuarve për magjistratë, profili gjyqtar.

Pas diskutimeve, Këshilli vendosi publikimin e pozicioneve të lira në nivel apeli, për gjyqtarin Ardian Dvorani, që ka të drejtën e caktimit në një pozicion të tillë. Pas kësaj vendimmarrje gjyqtari Ardian Dvorani, ftohet për të zgjedhur deri më datë 28.07.2020, njërin nga pozicionet e lira në gjykatat e mëposhtme:

Gjykata e Apelit Tiranë,

Gjykata e Apelit Administrativ,

Gjykata e Apelit Durrës,

Gjykata e Apelit Korçë,

Gjykata e Apelit Gjirokastër,

Gjykata e Apelit Shkodër.

Gjithashtu, Këshilli vendosi përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me Vendimin nr.86, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për kandidaten znj. Klodiana Veizi, për shkak të tërheqjes së saj nga kandidimi për këtë pozicion.

Në përfundim të mbledhjes, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit nga kandidatja znj. Irida Kacerja të katër kritereve të kandidimit për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr. 91, datë 26.02.2020, të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *