Qeveria e Malit të Zi ka miratuar një paketë prej 1.2 miliardë euro për të mbështetur qytetarët dhe ekonominë në zbutjen e efekteve të pandemisë së koronavirusit.
Kryeministri malazez, Dushko Markoviç, në një konferencë për media tha se masat ekonomike ndahen në afatshkurtra dhe afatgjata.
Masat afatshkurtra përfshijnë mbështetjen për sektorin e turizmit, bujqësinë dhe peshkimin, pastaj mbështetje të konkurrencës në ekonomi si dhe është planifikuar të subvencionohen pagat në sektorin e ekonomisë dhe turizmit.
Ndihmë do të ketë edhe për kategoritë më të rrezikuara të popullsisë.
Masat afatgjata ekonomike i referohen periudhës deri në vitin 2024, dhe ato janë të destinuara për industrinë e teknologjisë informative, turizmit, bujqësisë, energjisë dhe transportit.
Kryeministri i Malit të Zi, Dusko Markoviç njoftoi se investimet strategjike do të shoqërohen me kursime që përfshinë një ulje të shpenzimeve qeveritare, rishikim të pagave në ndërmarrjet shtetërore dhe një ulje prej 10% të shpenzimeve jo investuese nga të gjithë përdoruesit e buxhetit.
Ai tha se qeveria është e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit buxhetor të vendit.
“Kjo ndarje e mjeteve mund të arrihet në një mënyrë të qëndrueshme nga pikëpamja fiskale, pa rrezikuar stabilitetin e sistemit financiar”, tha Markoviq.
Që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit në mesin e muajit mars, Qeveria e Malit të Zi ka miratuar dy pako masash, e para arriti vlerën 280 milionë euro ndërsa e dyta në 40 milionë euro.