“New York Times” ishte një gazetë reference, siç ishte në kohën e vet “Le Monde”. U bë kohë që jeton veç me reputacionin e vet, siç bën e përditshmja franceze sot, por kjo mjafton për t’i dhënë një forcë goditëse dhe pushtet real për të bërë keq. Problemi është që tani jo vetëm reputacioni i saj po rezulton i rremë, por praktikat brenda gazetës ngjallin me të drejtë indinjatë: ngacmime, fyerje, rishkrim të artikujve opinioni i të cilëve bezdis, krahëmarrje ideologjike… Është gazetarja Bari Weiss që në letrën e saj të dorëheqjes zbulon të pathënat aspak të shndritshme të gazetës amerikane, por duke thënë me zë të lartë atë që deri më sot dëshmohej nga sinjale të dobta.
“Kush dëshiron të bëhet engjëll, bëhet bishë” thotë një fjalë e urtë, që nuk ka qenë kurrë më aktuale se në këtë rast. Dehumanizim, akuza pa prova dhe censurë; është ky triptiku që i bën gazetarët e rinj të vetëshpallur progresistë, gjahtarët e rinj të lirisë së shprehjes. Duke i trajtuar kundërshtarët e tyre, – me pretekstin më të vogël, – si nazistë apo fashistë, ata nuk kuptojnë se sjelljet e tyre janë më të dhunshme dhe të dëmshme sesa ajo e atyre që ata pretendojnë se po gozhdojnë.
Por le të lëmë Bari Weiss të tregojë atë që ajo përjetoi, vetëm pse mendonte ndryshe nga kolegët e saj talibanë:
“Inkursionet e mia në mendimet antikonformiste më shndërruan në një objekt ngacmimesh të vazhdueshme nga kolegë që nuk ishin dakord me opinionet e mia. Ata më quajtën naziste dhe raciste; arrita që nuk u vija më veshin epiteteve sipas të cilëve “shkruaj ende për çifutët“.
Shumë kolegë që perceptoheshin si miqësorë me mua u ngacmuan nga kolegë të tjerë. Puna dhe personaliteti im u sulmuan hapur në mbledhjet e redaksisë, aty ku redaktorët japin rregullisht opinionet e tyre. Aty disa kolegë këmbëngulën që duhet të “zhdukem” nga ndërmarrja nëse kjo e fundit do vërtet të jetë “gjithëpërfshirëse”, ndërkohë që të tjerë publikuan emojis me sopatë në krah të emrit tim. Të tjerë punonjës të New-York Times më njollosën publikisht, duke më trajtuar si gënjeshtare dhe fanatike në Twitter, pa pasur frikë se ky ngacmim mund të ishte objekt i një përgjigjeje të përshtatshme, që nuk erdhi kurrë”.
Në New-York Times burracakëria e shefave të rubrikave, që përgëzojnë gazetaren për kurajon e treguar pa i vënë kurrë kufij agresorëve të saj, tregon shumë për kohën që jetojmë, ku njerëzit duan të ushtrojnë funksione dhe të përfitojnë të gjithë prestigjin, pushtetin dhe paratë që burojnë nga këto, por pa marrë përsipër përgjegjësinë që lidhet me to.
Kjo konstante në burracakërinë e ekipeve drejtuese është e jashtëzakonshme dhe shpjegon derivën totalitare që po vepron në këtë lloj gazetarie: Për disa progresistë “e vërteta nuk është një proces i zbulimit kolektiv, por një ortodoksi tashmë e njohur e disa individëve të ndriçuar, misioni i të cilëve konsiston në informimin e gjithë të tjerëve”. Të heqësh dorë nga faktet sepse bien ndesh me ideologjinë është vetë përkufizimi i totalitarizmit, që dikur lindi nazizmin dhe komunizmin.
Mesa duket sot njësoj si dje ka pak njerëz për ta denoncuar këtë derivë dhe ajo ka zënë vend mjaftueshëm mes përfaqësuesve të elitës (politikanë, gazetarë, intelektualë, sipërmarrës…), saqë më kurajozët më së shumti përndiqen në grup, se sa pranohen. Këtë aspekt e përmend edhe gazetarja e dorëhequr:
“Do të doja të thoja që rasti im është i izoluar. Por e vërteta është që kurioziteti intelektual, – pa folur për marrjen e rreziqeve, – është shndërruar në handikap në Times. Pse të publikosh diçka shqetësuese për lexuesit tanë, apo të shkruash diçka të rrezikshme, nëse të duhet të kalosh përmes një procesi korrigjimi që do ta shndërrojë shkrimin në ideologjikisht të përputhshëm, ndërkohë që mund të garantosh rehatinë e punës (dhe të sigurosh edhe klikime) duke publikuar për të katërmijtën herë editorialin që thotë se Donald Trump është një rrezik vdekjeprurës për vendin dhe botën? Dhe kësisoj autocensura është bërë normë“.
Thënë kjo, nëse New-York Times ia ka dalë të fshehë kaq gjatë këto ambiguitete, është gjithashtu sepse neve nuk na pëlqen ta shohim të vërtetën në sy. Kur nga burracakëria gazetaria kishte lëshuar përballë presioneve dhe kishte hequr karikaturat e shtypit, ndërkohë që masakra e gazetarëve të Charlie Hebdo ishte ende në kujtesën e të gjithëve, këtu, si kudo tjetër, ne duhet të kishim kuptuar se këta njerëz nuk ishin më miq të lirisë. Kur kjo redaksi njoftoi trumfalisht se po e vendoste me gërmë kapitale “Black” për t’ia refuzuar gërmën kapitale “white”, duke shpjeguar se “të bardhët” nuk meritojnë gërmë kapitale sepse nuk formojnë një civilizim në vetvete, të vjen të pickosh veten. Ç’do të thotë kjo, që të gjithë “zezakët” janë të ngjashëm dhe të padallueshëm, të shkrirë tok në një të Tërë të madhe? Nuk dimë nëse ky trajtim është maska e racizmit të tyre më të thellë apo e budallallëkut të tyre të pamasë.
Ndërkohë publikimi i letrës vjen në momentin e duhur kur 150 intelektualë denoncojnë në të përmuajshmen “Harper’s” të ashtuquajturën “cancel culture”, kulturën e fshirjes. Ajo përkufizohet nga një “intolerancë ndaj mendimeve të kundërta”, një “prirje për poshtërim publik dhe përjashtim” dhe një “tendencë për të shkrirë çështje politike komplekse në një siguri morale verbuese”. Saktësisht ajo çka denoncon Bari Weiss në letrën e saj kur vë re se tek progresistët “urrejtja online shpaloset për sa kohë drejtohet ndaj shënjestrave të autorizuara”.
Gjithmonë e më shumë personalitete janë viktima të censurës dhe kulturës së fyerjes, ngritur në armë destabilizuese.
Kryeredaktori i editorialeve i New York Times, James Bennet dha dorëheqjen në vijim të kritikave të dhunshme.
Gabimi i tij i madh: Publikimi i një opinioni (dhe jo artikulli) të senatorit republikan Tom Cotton, që bënte thirrje për përdorimin e ushtrisë për t’i dhënë fund rrëmujave dhe bastisjeve të konstatuara paralelisht me manifestimet e Black Lives Matter. Meqë besoi se humori ishte ende i autorizuar, kryeredaktori i “Philadelphia Enquirer”, Stan Wischnowski guxoi dhe vuri si titull “Godinat gjithashtu vlejnë”, gjithmonë si referim me “Black lives Matter”. Punonjësit e tij u hodhën në grevë… Edhe atij iu desh të jepte dorëheqjen. Dhe lista vazhdon.
Që ka një problem me racizmin në SHBA ky është realitet. Nga ana tjetër, kur lufta ndaj racizmit transformohet në një lëvizje që sulmon liritë, imponon censurën, ngacmon njerëzit dhe imponon dogmat e saj, ajo bëhet kundërproduktive dhe përfundon duke çuar në refuzimin e ligjshëm të shkaqeve që ishin fillimisht të drejta.
Ndërkohë konstatimi është i hidhur: Kur gazetarët e mbajnë veten për ligjzbatues, ata përgjithësisht përfundojnë në akuzues publikë. Nuk është për t’u habitur, besimi në ideologji dhe refuzimi i së vërtetës çon në ngacmim dhe spastrim dhe jo te kontradiktorja dhe debati. Problemi është se kur ata ulen kësisoj këmbëkryq mbi deontologjinë dhe nderin e profesionit të tyre, ata goditjen fatale ia japin informacionit.
Të qenit propagandues është zanat, por nuk është i njëjtë me atë të gazetarit. Kur militantët dhe ideologët marrin pushtetin, kërkimi i së vërtetës dhe referenca ndaj fakteve zhduket dhe vendin e zë manipulimi. Shkrumbimi simbolik i ideve dhe njerëzve fiton atë çka gazetaria humbet.
Shumë shpejt madhështia e një gazetari progresist do të matet me numrin e personave që ka vrarë shoqërisht dhe u ka mbyllur gojën. Dhe ky, do të ishte perëndimi i shtypit të lirë.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Le Figaro shkruar nga Céline Pina
*Përktheu: Endri Xhafo