Policia ka vënë në pranga administratorin e firmës ku ndodhi dje shpërthimi në zonën e ish-kombinatit metalurgjik të Elbasanit, ku mbetën të plagosur tre punëtorë.
“Bëjmë me dije se grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, janë kryer të gjitha veprimet në vendngjarje. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë, për veprën penale ‘Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasin: Y. P., 54 vjeç, banues në Elbasan, administratori i firmës’.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Shpërthimi ndodhi dje rreth orës 10:30 të paradites. Tre personat që mbetën të plagosur nga shpërthimi janë: Qemal Mullahu (61-vjeç), Osman dhe Eduard Bendaj (Babë e bir, 69 dhe 42 vjeç). Katër të tjerë patën gjithashtu lëndime të lehta.
Dyshohet se ka qenë shpërthimi i një tubi oksigjeni, pikërisht në repartin e oksigjenit, që ka shkaktuar ngjarjen duke lënë të plagosur punonjësit.