Ish-këshilltari i presidentit amerikan, Trump, Bolton, ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Rama, ka qenë thuajse në pozicionin që nëse Kosova e Serbia do binin dakord për shkëmbimin e territoreve, ai do e mbështeste.
Bolton ka dhënë një intervistë për korrespondentin e TvT në Nju Jork, Robert Papa ku ndër të tjera ai është pyetur dhe ka sqaruar edhe çështjen e marrëveshjes mes Serbisë e Kosovës, mes të cilave ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve.
I pyetur nga gazetari Papa, Bolton thotë fjalë për fjalë: “Rama kishte thuajse pozicionin se nëse palët do binin dakord, ai do ta mbështeste.”
Bolton thotë më herët gjatë intervistës se takimi i paralajmëruar në Uashington mes Serbisë e Kosovës nuk do prodhonte marrëveshje por do shërbente për të bërë foto.
Ai pohon gjithashtu se kanë qenë presidentët Vuçiç e Thaçi që kanë kërkuar shkëmbimin e kufijve.
“Takimi në Ushington mes Serbisë dhe Kosovës nuk do të prodhonte marrëveshje. Do të ishte një mundësi për fotografi dhe vetëm kaq”, shprehet Bolton.
“Vuçiç dhe Thaçi kanë kërkuar të bëhej ky shkëmbim kufijsh. Kisha ndikim sepse duhej të ndërmerreshin hapa në Ballkan dhe Europën Lindore, për të ulur ndikimin rus. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë pati ndikime që në vitin 2018 dhe liderët e dy vendeve donin t’i zgjidhnin çështjet mes tyre, sepse e panë sepse nuk mund të arrinin rritje ekonomike dhe stabilitet derisa të normalizoheshin marrëdhëniet”, thotë Bolton.