Oerd Bylykbashi, i cili është përfaqësues i PD-së në Këshillin Politik, thotë se palët kishin rënë dakord që listat e hapura të mos diskutoheshin në paktin e 5 qershorit.
Ai thotë se në tavolinë u nxor përsëri çështja e ndryshimit të sistemit, por shton se PD është kundër çdo ndryshimi të njëanshëm.
“Ne kemi thënë që jemi të hapur të diskutojmë çdo lloj sistemi. Keni dëgjuar PS të thotë që është kundër listave të hapura. Ne do të flasim të fundit në Këshillin Politik. Gjiknuri ka thënë se çështja e sistemit do të diskutohet në një fazë tjetër dhe kjo ishte dakordësia. Pasi u mblodh e gjitha, u nxor sërish çështja e sistemit.
Dje miratuam 7 ligje të tjera për të vendosur barriera dhe rregulla të reja, që forcojnë goditjen e krimit. Duhet të ketë një llogaridhënie të rregullt, për rastet si: Shit-blerja e votës, presioni mbi zgjedhësit, abuzimi i administratës, roli i Policisë së Shtetit, pra të gjitha rregullat e reja shtërëngojnë mundësinë që qeveria të abuzojë në procesin zgjedhor. Opozita e bëri të qartë, refuzojmë çdo ndryshim të njëanshëm, pra ndryshimin e sistemit zgjedhor. Janë ndryshime që deformojnë procesin zgjedhor. Hapja e listave mund të jenë problematike në një kontekst”, tha Bylykbashi ndërsa ishte i ftuar në programin “Opinion” në “News 24”.
Bylykbashi lë të nënkuptohet se afati për këto ndryshime kushtetuese mund të shtyhet përtej 30 korrikut pasi në rast se votohen në Kuvend në këtë datë, atëhere Opozita e Bashkuar do i refuzojë.
”Ne jemi gati ta diksutojmë meqë është ky moment. Por ndryshimet kushtetuese dhe listat e hapura nuk bëhen për 6 ditë. Në 2008 u bë një process 14 mujor. Kurse sot për 6 ditë, pazare me deputetë që nuk përfaqësojnë. Kuvend me numra antikushtetuesë. Në këtë pikë ose referendum ose konsensus maksimal.
Sistemet duhen debatuar. Unë dua sistem mazhoritar. Do të preferoja një garë të drejtpërdrejtë ku të kisha socialistin përballë, teksa në një listë ku korrupsioni të ishte, pra korrupsioni zgjedhor dhe konfliktualiteti do të jenë dhe do të kemi probleme të mëdha. Nëse në të shkuarën na janë dashur 7 muaj, sot s’mund ta bëjmë për 6 ditë”, thotë më tej Bylykbashi.
Bylykbashi më pas e bëri të qartë se më shumë se Listat e Hapura, PD është për një sistem maxhoritar. Ai vijon të akuzojë kryeministrin Edi Rama se ka qëllim ndalimin e koalicioneve.