Policia ka arrestuar dy persona, njëri prej të cilëve konsiderohet si përfaqësuesi i ‘Ndragheta-s’ në Shqipëri, si pjesë e një operacioni ndërkombëtar për goditjen e grupeve mafioze në fushën e trafikimit të drogave të forta.
Policia e Shtetit jep detaje për operacionin e koduar “Magma 2020”, për goditjen e pjesëtarëve të organizatës mafioze “Ndrangheta”.
Sipas policisë, operacioni u zhvillua në të njëjtën kohë në Shqipëri, Itali, Argjentinë e Costa Rica. Në vendin tonë u kap shtetasi me inicialet B.S, me nofkën “Xhaxhai”, i cili konsiderohet si përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Ai akuzohet se ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kilogramëve me kokainë në Spanjë.
NJOFTIMI
Operacioni, falë bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe projektit I-CAN (Interpol – Bashkëpunim Kundër Ndrangheta-s).
6 persona të shpallur në kërkim janë arrestuar në Argjentinë, Shqipëri dhe Costa Rica.
Në kuadër të këtij operacioni, nga Interpol Tirana, në bashkëpunim DVP Tiranë dhe me mbështetjen e FAST ALBANIA, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimi, shtetasi B. S., i quajtur “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Shtetasi B. S. ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.
-Po në kuadër të operacionit është bërë dhe arrestimi në Elbasan, më 26 maj 2020, i shtetasit A. C., i cili ka qenë i shpallur në kërkim.
Në të njëjtën kohë në Argjentinë u bë arrestimi i shtetasve:
-F. S., korrier dhe njeri i besuar i Ndrangheta-s, i cili bënte lidhjen mes Amerikës së Jugut dhe Kalabrisë. Ky shtetas kryente për llogari të organizatës kriminale, detyra të ndryshme operative dhe transport të dokumenteve sekrete;
-G. P., lindur në Romë, me emrin M. P., me banim në Buenos Aires, ishte personi që bënte lidhjet midis furnizuesve të drogës të Amerikës së Jugut dhe familjeve mafioze italiane. Gjithashtu merrej dhe direkt me eksportin e substancave narkotike;
-F. P., lindur në Argjentinë, bashkëpunëtor i ngushtë i F. M., i cili u arrestua edhe në operacionin e kryer në nëntor 2019. Shtetasi F. P., falë rrjetit të tij të bashkëpunëtorëve në Argjentinë, merrej sidomos me anashkalimin e kontrolleve doganore dhe pastrimin e parave;
-Me bashkëpunimin e Interpol San Hoze në Costa Rica u arrestua në qytetin Jaco, shtetasi F. D., lindur në Velletri/Itali, bashkëpronar i një hoteli Casino në Costa Rica. Ky shtetas ishte vendosur në Costa Rica dhe ishte bërë pikë referimi për organizatat kriminale. Roli i tij ishte që të bënte të mundur dërgimin e kokainës në Itali, si dhe u siguronte anëtarëve të organizatës bazën logjistike dhe akomodimin në Costa Rica.
Ky operacion, i koordinuar me forcat e Policisë argjentinase, të Policisë shqiptare dhe asaj të Costa Ricas, si dhe me UCI Albania, dëshmon se qasja globale ndaj Ndrangheta-s, e arritur përmes projektit I-CAN dhe bashkëpunimit ndërkombëtar policor, është mënyra kryesore për të luftuar një kërcënim që ka ndotur në heshtje ekonominë e mbi 30 vendeve të botës dhe që duhet të luftohet përmes një veprimi të fuqishëm të rrjetit.