Vendosni fjalën kyçe....

Maqedoni e Veriut – BDI në opozitë, pse jo!


Blog Autor: Xhelal NEZIRI

Zoran Zaevi i LSDM-së dhe Ziadin Sela i ASH/AAA kishin një pikëtakim gjatë fushatës për zgjedhjet e 15 korrikut: që të dy i thanë lamtumirë Ali Ahmetit, duke ia bërë me dije se do të shkojë në opozitë.

I pari madje shtoi se “të shkuarit në opozitë pas 16 vitesh qeveri është politikisht e shëndetshme për BDI-në”, kurse i dyti e përshëndeti me dorën lartë, me pesë gishtat e hapur që simbolizonin numrin pesë të këtij koalicioni në fletëvotim.

Çuarja e partisë së Ahmetit në opozitë sikur u bë një narrativ i fuqishëm i Zaevit dhe Selës, të cilët vlerësuan se me këtë antagonizëm do të mobilizonin më shumë votues në taborët e tyre. LSDM lidhi koalicion me BDI dhe ASH në vitin 2016, dy parti që i mundësuan të krijojë shumicën parlamentare dhe qeverinë.

Një vit më pas, pas rikonstruktimit të parë të qeverisë, LSDM i mori ministrinë e shëndetësisë ASH-së, gjë që shkaktoi pakënaqësi te kjo e fundit. Raportet e përkeqësuara Zaev-Sela e arritën kulmit në tetor të vitit 2017, kur LSDM arriti marrëveshje me BDI-në për përkrahje të ndërsjellë të kandidatëve të tyre në zgjedhjet lokale.

Kjo rezultoi që votat e BDI-së të jenë kyçe për zgjedhjen e të parit të Shkupit, Kumanovës, Ohrit, Manastirit dhe në disa komuna tjera rurale me përbërje etnike të përzier, kurse votat e LSDM-së përcaktuan fitoren e kandidatëve të BDI-së në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë.

Dështimi i Selës në Strugë, si dhe i sy kandidatëve të BESË-s – Bilall Kasamit Tetovë dhe Zekirija Ibrahimit në Çair (atëherë Alternativa nuk ishte e formuar), e thelloi armiqësinë e këtyre partive me LSDM-në.

Si rezultat i kësaj, ASH kaloi në opozitë, kurse partia e re që kishte dalë nga BESA – Alternativa e Afrim Gashit – e zëvendësoi në qeveri. Në periudhën më pas Zaev vijoi bisedimet edhe me BESË-n e Kasamit për ta kyçur në qeveri, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Tani, tre vite pas ndarjes LSDM, – që ka brenda koalicionit edhe BESË-n – sikur më shumë dëshiron koalicion qeverisës me ASH dhe AAA sesa me BDI-në. Që të tre subjektet politike, që aq pak i besojnë njëra-tjetrës duket se i bashkon një qëllim – ta dërgojnë Ahmetin në opozitë.

A është e mundur një qeveri pa BDI-në? Natyrisht se po nëse LSDM do të gjejë alternativa për të krijuar shumicën parlamentare. Por, ka së paku katër dobësi një qeveri që nuk do të kishte Ahmetin brenda:

E para, BDI fitoi më shumë vota dhe deputetë sesa partitë tjera të shqiptarëve etnikë në Maqedoninë e Veriut, gjë që i jep sërish legjitimitet t’i përfaqësojë ato në Qeveri. Me 15 deputetë dhe rreth 105 mijë vota Ahmeti ka marrë mandat në zgjedhje të jetë i pari, para koalicionit midis Selës dhe Gashit me rreth 81 mijë vota apo edhe Kasamit, i cili në kuadër të koalicionit “Mundemi” vlerësohet të ketë derdhur 10-15 mijë vota. Pra, partia e Ahmetit ka më shumë vota te shqiptarët se të gjitha subjektet tjera së bashku.

E dyta, lënia jashtë ekzekutivit të partisë më të madhe te shqiptarët etnikë është treguar një hap politikisht jo aq i mençur për partitë që mëtojnë të udhëheqin shtetin, por edhe për ato që hyjnë në qeveri me legjitimitet të mangët. Hyrja e ASH/AAA në qeveri si subjekt që doli i dytë në zgjedhjet e 15 korrikut do të ishte një përsëritje e skenarit të 2006-ës, kur PDSH e Menduh Thaçit arriti marrëveshje për ta formuar qeverinë me Nikolla Gruevskin e VMRO-DPMNE-së.

E treta, në kohën kur Bullgaria gjithnjë e më shumë konteston identitetin etnik të maqedonasve duke goditur gjuhën dhe historinë, si dhe në një periudhë kur dialogu Prishtinë-Beograd pritet të sjellë rezultate konkrete, qeveria e Zaevit nuk do të mund të shpresojë më në një mbështetje dhe rol konstruktiv të Ahmetit.

E katërta, me formimin e një qeverie LSDM/BESA, ASH/AA dhe deputetë tjerë nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, për të cilët që flitet se do të bëjnë “transferim” te kjo shumicë parlamentare, demokracia në Maqedoninë e Veriut përfundimisht do të ishte e ngjashme me një treg zarzavatesh, ku vota dhe mandati i deputetit shitet dhe blihet si në pazar. Edhe nëse u shkëput deputetë, një opozitë që përbëhet nga dy parti fituese në dy etnitë më të mëdha të vendit do të ishte një rrezik i madhe e i përhershëm për një qeveri të tillë.

BDI për një kohë të gjatë është në pushtet – nga viti 2002 e deri më tani, me përjashtim të periudhës 2006-2008. Pra, plot 16 vite, nga të cilat 12 pa ndërprerë. Me kërkesën për kryeministër shqiptar Ahmeti arriti ta kthejë aurën e dikurshme dhe të mobilizojë votuesit shqiptar.

Nëse tani do të hiqte dorë nga kjo ide pa ndonjë kompromis të arsyeshëm, ai do të zgjidhte pushtetin para mbështetësit, qeverinë para idesë dhe stagnimin para rritjes së popullaritetit. Ahmeti në vitin 2016 mori 86 mijë vota, në zgjedhjet lokale afër 90 mijë, kurse tash 105 mijë, që tregon për një rritje graduale të përkrahjes.

Mbetja në opozitë si fitues i zgjedhjeve, sado dëshpëruese të duket kjo për rrethet në këtë parti, do ta forconte edhe më shumë pozitën e Ahmetit në skenën politike. Kjo mbase edhe është strategjia e tij.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e kdkpolitik.com


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *