Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Osmani, ka replikuar me kryeministrin Hoti lidhur me diskutimet për ndryshimin e kufijve.
Ajo tha se diskutimet për kufijtë ishin bërë prej dy vitesh dhe ai nuk mund të hiqej sikur ato s’kanë ekzistuar kurrë.
Në fund të seancës plenare, Osmani i tha kreut të qeverisë se kishte shkelur Kushtetutën me emërimin e Skënder Hysenit si koordinator për dialogun më Serbinë.
“Z. Kryeministër, zonja dhe zotërinj nuk është mirë të mendohet se jemi pjesë e një amnezie. Diskutime për kufij ka pasë. Nuk ka deputetë të LDK-së që s’ka fol, ish-deputetë të mandatit të kaluar që s’ka fol për këtë teme në këtë Kuvend. Ish-presidenti e ka pranuar vetë. Herë është quajtur “korrigjim kufijsh’ e herë me ndonjë emër tjetër, mirëpo diskutim ka pasur për gati dy vjet me radhë dhe ju i keni kritikuar çdo ditë e tash po pretendoni se ato s’kanë ndodh. Dhe t’i thoni një Kuvendi që po merreni me konspiracione për ngjarje të dokumentuara dhe tashmë të konfirmuara nga njerëz aktual të Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltarë të kaluar të Shtëpisë së Bardhë tregon mos respekt ndaj këtij institucioni.” – tha Osmani.