Pas takimit me ambasadorët e vendeve të BE-së, presidenti i vendit Ilir Meta është takuar mesditën e sotme edhe me kreun e PD-së, Lulzim Bashën.
Ky takim vjen një ditë pas miratimit në Kuvend të marrëveshjes së 5 Qershorit. Meta ka zbuluar disa detaje nga ky takim me kryedemokratin, ku thotë se i ka kërkuar që opozita të vazhdojë punën në Këshillin Politik në frymën e konsensusit duke mos rënë pre e asnjë provokimi.
“Sapo përfundova një takim me kërkesën time me Kryetarin e Partisë Demokratike dhe liderin e Opozitës së Bashkuar z.Lulzim Basha.
E sigurova se do të dekretoj menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit.
E falenderova për kontributin konstruktiv në arritjen e Marrëveshjes së 5 qershorit dhe i kërkova të vazhdojnë punën në Këshillin Politik në frymën e konsensusit duke mos rënë pre e asnjë provokimi.
Inkurajova vijimin e bashkëpunimit të ngushtë me të gjithë partnerët e investuar për çeljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian dhe që kanë mbështetur Këshillin Politik në frymën e konsensusit dhe gjithëpërfshirjes.”– shkruan Meta.
Në takimin me ambasadorët që u zhvillua pak më herët, kreu i shtetit u ka thënë diplomatëve se do të dekretojë menjëherë ndryshimet e Kodit Zgjedhor në respekt të Marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit. Ai i ka njohur ata dhe me qëndrimin e tij të prerë sa i takon ndryshimit të Kushtetutës.