Vendosni fjalën kyçe....

Rudina Hajdari e indinjuar: Pse më përjashtuat nga komunikimi juaj


Deputetja e opozitës Rudina Hajdari duket e indinjuar në lidhje me komunikimin e fundit të mazhorancës për këshillin politik.

Përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri komunikoi përmes emailit me përfaqësuesit e PD-LSI-së, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Por la pa përfshirë deputetën tjetër e cila është anëtare në Këshillin Politik, Rudina Hajdari.

Hajdari thotë se mospërfshirja e saj në komunikatë shkon kundër gjithpërfshirjes që është trumbetuar gjatë kësaj kohe dhe shton që po shpreson të ketë qenë vetëm një gabim teknik.

Pavarësisht kësaj ajo konfirmon pjesëmarrjen në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik që do mbahet në orën 15:00.

Çfarë shkruan Hajdari:

“Të nderuar anëtarë të Këshillit Politik,

Së pari dua të shpreh indinjatën time për mospërfshirjen në komunikimin e fundit.

Siç edhe ju e theksoni shpesh në komunikimet tuaja, gjithëpërfshirja e jo përjashtimi duhet të jetë themeli i punës së këtij këshilli.

Uroj të ketë qenë thjesht një gabim teknik.

Në emër të opozitës parlamentare, rikonfimoj prezencën dhe uroj që kësaj here të mund të bisedojmë për ndryshimet kushtetuese të cilat do të votohen në seancën e datës 30 korrik, gjë e cila nuk ka qenë e mundur për shkak të refuzimit të disa prej jush për ta trajtuar këtë temë apo kundërshtisë ndaj ideve të saj.

Siç e kam përsëritur dje, por edhe në çdo mbledhje të këshillit politik, uroj që, ashtu siç janë bashkuar mbi 80% e shqiptareve rreth përqafimit të idesë për hapjen e listave, ta bëjmë edhe ne në atë tryezë duke treguar se të gjithë jemi në nivelin e duhur të përfaqësimit dhe dimë të lëmë mënjanë interesat personale për hir të interesit madhor të shoqërisë.

Me respekt,

Rudina Hajdari.”

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *