Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore ka reaguar në lidhje me vdekjen e 27-vjeçarit sot në Spitalin Infektiv, i cili ishte i prekur nga koronavirusi por kishte dhe sëmundje bashkëshoqëruese.
Urgjenca ka mohuar se 27-vjeçari nuk ka marrë ndihmën e nevojshme dhe jep me detaje ecurinë e trajtimit të tij.
Në një postim në Facebook, Urgjenca thotë se para tre ditësh i riu ka telefonuar për herë të parë në numrin 127 dhe u kishte thënë se ishte pozitiv me Covid-19 e kishte dhe sëmundje të tjera. Më pas ka nisur dhënia e ndihmës për të riun, të cilit i ka shkuar në shtëpi ekipi mjekësor i spitalit të Kavajës. E më vonë në të njëjtën ditë, është dërguar në QSUT.
Ministria e Shëndetësisë, më herët doli me një njoftim, ku jepte lajmin për vdekjen e 27-vjeçarit, duke mos e konsideruar si viktimë të Covid-19.
DEKLARATA E PLOTË E URGJENCËS KOMBËTARE
Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore sqaron opinionin publik në lidhje me humbjen e jetës së 27 vjeçarit nga Kavaja. QKUM ngushëllon familjarët për humbjen e jetës së djalit 27 vjeçar.
Lidhur me dezinformimin e përhapur në media se të riut i është mohuar shërbimi mjekësor, sqarojmë si vijon:
Pacienti me inicialet A.C, 27 vjeç, ka telefonuar për herë të parë në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127, në datën 21 Korrik, rreth orës 14:00. Pacienti referon se është Covid-19 pozitiv dhe vuante nga drepanocitoza dhe hepatiti B. Ka shkuar ekipi mjekësor i spitalit Kavajë dhe pasi e ka bërë vizitën mjekësore ka aplikuar një terapi për qetësimin e simptomave të sëmundjes. Pacienti ishte vizituar edhe nga një mjek pneumolog dhe kishte bërë një konsulencë me mjekun hematolog. Pas një ore qytetari telefonon përsëri 127 duke referuar se nuk po qetësohej. Është dërguar përsëri ekipi mjekësor dhe pacienti është transportuar në spitalin Infektiv në QSUT në Tiranë, ku është shtruar që prej datës 21 korrik me kod të verdhë, brenda ditës kur ka telefonuar. (rekordet bashkëlidhur).
Duke hedhur poshtë çdo aludim të pavërtetë për punën e palodhur të ekipeve mjekësore të Urgjencës mjekësore, sqarojmë opinionin publik se Urgjenca Kombëtare është në shërbim 24/7 me profesionalizëm për t’ju përgjigjur nevojave të qytetarëve, jo vetëm pacientëve me COVID por të gjitha patologjive në të gjithë vendin. 27 vjeçari ka marrë ndihmën mjekësore për disa ditë në spitalin infektiv, ku megjithë përpjekjet e stafit, nuk ka mundur të mbijetojë si pasojë e aksidentit cerebral vascular. 27 vjecari vuante nga një sëmundje e lindur e gjakut dhe ishte asimptomatik për COVID19.