“Natyrisht nuk shpresoj të të bëj më të mirë, as me vdekjen time, as me jetëgjatësinë e emrit dhe veprimtarisë së biznesit tim, por shpresoj të qetësohesh e të kuptosh, se problemi në këtë botë nuk jam unë që punoj 24 orë dhe mbaj gjallë shpresën tek mijëra njerëz, por hije si ty, që përgjojnë 24 orë lajmërimet e vdekjeve, si e vetmja mënyrë që të ndjehen mirë.”– kështu shkruan sot biznesmenia e njohur, Vilma Nushi, pas mallkimeve e urimeve me vdekje që ka marrë ditët e fundit, lidhur me lajmet se ajo është infektuar me Covid-19.
Në fakt, prej disa ditësh tashmë ka qarkulluar në media se biznesmenia është infektuar me Covid-19, por ende nuk kishim një konfirmim nga ajo.
Disa media në vend si Tema, Dritare.net, Shekulli… kanë publikuar sot një letër të Vilma Nushit, e cila shprehet e indinjuar nga urimet me vdekje që ka marrë nga disa qytetarë vetëm për shkak të pasurisë së saj.
Në këtë letër, Nushi e irrituar thotë se madje as pasurinë nuk e ka të vetën, por se e ka trashëguar nga gjyshërit e saj. E më pas ajo ka punuar fort për të ngritur dhe mbajtur kompaninë e saj, që e quan një makineri për të cilën punojnë shumë njerëz.
“Pasurinë se kam bërë në emrin tim dhe as për emrin tim. Por ti se di këtë, sepse ti degjon disa mjeranë, që e quajnë veten politikanë, që e dinë shumë mirë këtë , por e përdorin emrin tim sepse kanë frikë të përdorin emrin e asaj makine të madhe që kam ndërtuar këto 30 vjetë, që e ka emrin marketing&distribution.”– shkruan biznesmenia.
Disa ditë më parë, qarkulluan pamje në rrjet të zonjës Nushin e cila po transportohej me një autoambulancë të një spitali privat në Rinas, nga ky u largua nga Shqipëria me anë të një avioni charter për t’u mjekuar jashtë vendit (lexo këtu).
Vilma Nushi është një ndër emrat më të përmendur në media, për shkak të koncensioneve e tenderave që ka fituar në Shëndetësi, në veçanti për atë të Check-Up-it prej 8.5 milionë eurosh.
LETRA E PLOTË E VILMA NUSHIT
Unë jam Vilma Nushi, dhe tani që po shkruaj, jam në një shtrat spitali ku marr oksigjen, infektuar me COVID19. Kam marrë me mijëra urime të shërohem sa më shpejt, por sot dua tu flas atij që më ka mallkuar, atij që mendon se duhet të vdes meqë më di të pasur.
Unë nuk kam asnjë pasuri në emrin tim siç thua ti, jo nga mania që kanë njerëzit të fshehin pasurinë, por nga arsyeja e thjeshtë se unë kam pasuri biznesin tim. Kështu mallikim yt s’ka vlere se flet për gënjeshtra. Të vetmet prona në emër tim janë pronat që kam trashëguar nga gjyshërit e mij të nderuar, familja Zeraliu dhe familja Marika.
Pasurinë se kam bërë në emrin tim dhe as për emrin tim. Por ti se di këtë, sepse ti degjon disa mjeranë, që e quajnë veten politikanë, që e dinë shumë mirë këtë , por e përdorin emrin tim sepse kanë frikë të përdorin emrin e asaj makine të madhe që kam ndërtuar këto 30 vjetë, që e ka emrin marketing&distribution.
Edhe pse unë jam në spital dhe larg njerëzve të mijë të familjes dhe biznesit, ajo makineri punon e qetë, e sigurte me shume energji dhe vizion.
Pasurinë time që ti mallkon, këto 30 vjet e kam ndërtuar pak nga pak me energji dhe përkushtim, me dashuri dhe sakrifica te pafundme. Të rrisësh një ndërmarrje ke kënaqësinë të rritesh bashkë me të, me muret dhe mjetet , me oborret me pemët, lulet por me tepër me njerëzit që punojnë për të , që janë asetet e mija shpirtërore më me vlerë, që më kanë dhënë kënaqësinë dhe motivimin për të vazhduar për të punuar .
Por kam vënë re edhe një gjë që ka ndodhur me kalimin e viteve, kam vënë re, se si ke kënaqësinë të shohësh , se sa me shume puna shtohet e më shume fiton , aq më shumë paguan për shtetin, dhe ke kënaqësi shume kur paguan, kam vënë re se si behën çdo ditë, rrugët ku ecim unë dhe ti , për kopshtet ku shëtisim unë dhe ti , për shkollat ku dërgojmë fëmijët unë dhe ti, për spitalet ku shkojmë unë dhe ti.
Unë nuk kam asnjë deklaratë për të bërë për pasuri që nuk i dihet filli, as nëpër banka apo offshore, sepse çdo gjë është shkruar në librat e shenjtë të kontabilitetit, të M&D që është aq kollaj ti lexosh.
Unë nuk kam pasuri që si dihet emri dhe vendi, pasi pasuritë e mija janë aty në mes të Kasharit, ku normalisht i shikojnë me lakmi ziliqarët dhe i vlerësojnë ato që dinë sa mund dhe djersë ka aty brenda. Unë s’kam para në arkë , nuk kam para në shtëpi , as poshtë jastëkut, paratë gjenden në llogaritë e M&D në banka. Unë si shoh ato, por janë një armatë njerëzish që i lëvizin dhe punojnë me to dhe që bëjnë që të punojë kjo makinë e madhe që kam krijuar .
Ajo “perandori” që kam bërë ndër vite, është pra kjo makinë e madhe shpërndarjeje dhe logjistike, që punon me mua dhe pa mua, që ka vënë rrënjë dhe është vështirë ta rrëzosh. Sa shumë janë munduar me presione dhe shantazhe , burgje dhe rrëmbime, por se rrëzuan dot, se ka themele te forta , ka zënë rrënjë të thella dhe të forta, sepse është aty e dukshme dhe e paster, se prek dot as ti as njeri tjetër.
Sa fitoj unë, sa paguaj unë, nuk të duhet të dëgjosh fare , sepse une nuk ekzistoj, por politika e përdor emrin tim, jo për të me ulur mua, por për të krijuar lidhje që nuk egzistojnë përveçse në mendjen e tyre të sëmurë.
Unë nuk jam individ , e kam emrin M&D, që është aset i këtij vendi. Faqet e librit të M&D , i ke të hapura në çdo kohë, veç një klick të duhet. Por kam frike se ose s’do ta lexosh, ose s’do dish te lexosh janë me shume zero .
Dhe a do vdes unë? Unë mund të vdes, siç do vdesim të gjithë ,se nuk jemi të pavdekshëm, por se dimë kur. Por nuk do të vdes se do ti , por se atëherë do jetë ora.
Veçse unë kam pas vetes bekimin e mijëra njerëzve që i dua dhe më duan, që i kam ndihmuar dhe do i ndihmoj të jetojnë të lumtur nën ombrellën e kësaj “perandorie” që do vazhdojë të jetojë dhe kur unë të mos jem më. Unë kam pas vetes bekimin e atyre njerëzve për të cilët kam kontribuar, për t’iu ulur sado pak dhimbjen , për ti rritur sado pak cilësinë e jetës, për tiu ndenjur pranë kur kanë qenë keq dhe kur sytë e tyre janë drejtuar nga qielli, të atyre njerëzeve, që i kam ndihmuar të jetojnë atje ku ti s’ke shkelur kurrë , që të kuptojnë, që jeta e tyre është e rëndësishme dhe ta kenë kujdes atë.
Unë kam arritur në atë fazë, që gëzoj më shume kur shoh njerëz që i bëj të gëzohem dhe vuaj për mjerimin e njerëzve si ti. Janë te hapura këto qe them, lexohen aq thjesht po të duash ti lexosh, i ke aty ne librat e hapura te bilanceve, këto që them unë, të cilat ti nuk mund ti komentosh, pasi 1+1 =2.
Ndaj po të shkruaj nga shtrati i spitalit, jo nga paniku se mos iki nga kjo botë prej mallkimit tënd, por nga qetësia që kam për jetën që kam lënë pas, për atë që kam bërë, e cila do jetojë më shumë se jeta ime fizike dhe natyrisht do tu bëj mirë shumë njerëzve në këtë botë. Ndoshta dhe ty dhe fëmijëve të tu.
Natyrisht nuk shpresoj të të bëj më të mirë, as me vdekjen time, as me jetëgjatësinë e emrit dhe veprimtarisë së biznesit tim, por shpresoj të qetësohesh e të kuptosh, se problemi në këtë botë nuk jam unë që punojë 24 orë dhe mbaj gjallë shpresën tek mijëra njerëz, por hije si ty, që përgjojnë 24 orë lajmërimet e vdekjeve, si e vetmja mënyrë që të ndjehen mirë.