Vendosni fjalën kyçe....

Dorëheqjet e shpeshta në Kadastrën e Vlorës, Lleshaj: Po hetohet nëse ka pas arsye kriminale


 

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj thotë se po hetohet lidhur me dorëheqjet e shpeshta në Kadastrën e Vlorës, për të mësuar nëse pas kësaj fshihet një arsye kriminale apo jo.

Këtë Lleshaj e tha gjatë një interviste në emisionin “Pa Protokoll” në “Report TV”, ku u pyet lidhur me rastin.

Lleshaj sqaroi se dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime dhe situata ‘teorikisht’ është normale, por që ka nisur një hetim për këtë.

“E kam dëgjuar këtë histori disi të pazakontë. Jam informuar që po merren masa nga organet përkatëse ligjzbatuese për të hetuar se çfarë është pas kësaj, se në pamje të parë kemi situata teknikisht korrekte. Shkon dikush pastaj jep dorëheqjen. Çdokush ka të drejtë të japë dorëheqjen. Por për sa kohë dorëheqjet nuk janë shoqëruar me denoncime, për sa kohë policia apo prokuroria nuk janë kërkuar, nuk janë vënë në lëvizje, “teknikisht” korrekt. Duket e çuditshme por normale. Në fakt nuk është normale dhe me sa di unë janë duke u bërë procedimet përkatëse për të shkuar në thellësi dhe për të gjetur se çfarë është pas kësaj. Besoj që ata që merren me këtë punë në detaje, janë duke u marrë për të hulumtuar dhe për të kuptuar se cilat janë arsyet, ka një arsye kriminale apo janë arsye banale”, tha Lleshaj.

Kadastra e Vlorës duket sikur i “ha” drejtuesit e saj, të cilët brenda një kohe të shkurtër largohen. Më 13 korrik është prezantuar Ani Binaj si drejtori i 13-të i Kadastrës që prej vitit 2013 dhe i dhjeti në dy vitet e fundit, ose i teti brenda një viti kalendarik.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *