Rusia i është përgjigjur akuzave nga SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar se ka testuar armë anti-satelitore në hapësirë. Ministria e Mbrojtjes ruse i ka quajtur pretendimet “të shtrembëruara”.
“Testet e kryera më 15 korrik nuk krijuan asnjë kërcënim për anijet e tjera kozmike”– tha ministria ruse, duke shtuar se nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar, citon BBC.
Moska tha më herët se kishte përdorur teknologji të re për të kryer kontrolle në pajisjet ruse hapësinore.
Por SHBA-ja dhe Britania e Madhe thanë se ishin të shqetësuar për aktivitetin satelitor.
“Ne jemi të shqetësuar për mënyrën se si Rusia testoi një nga satelitët e saj duke lëshuar një predhë me karakteristikat e një arme”– tha të enjten kreu i drejtorisë hapësinore të Britanisë së Madhe, Zëvendës Marshalli, Harvey Smyth.
Kjo ishte hera e parë që Britania e Madhe bëri akuza në lidhje me pushtimin e hapësirës nga Rusia. Departamenti Amerikan i Shtetit tha gjithashtu se kishte vërejtur përdorimin nga Rusia të “asaj që duket se janë armë anti-satelitore brenda orbitës”.
SHBA dhe Rusia do të zhvillojnë bisedime dypalëshe për sigurinë e hapësirës në Vjenë javën e ardhshme, bisedimet e para që nga viti 2013.