Vendosni fjalën kyçe....

Mbi 80 gazetarë të faqes hungareze japin dorëheqjen pas shkarkimit të kryeredaktorit – Përqafime e lot (FOTOT)


Bordi redaktues dhe dhjetëra gazetarë në gazetën më të madhe të pavarur të Hungarisë kanë dhënë dorëheqjen, dy ditë pas shkarkimit të kryeredaktorit Szabolcs Dull.

Punonjësit e Index.hu e kanë përshkruar vendimin e kryetarit të bordit, László Bodolai, si “të papranueshëm”.

Ditën e enjte, Index mbajti një takim të stafit për të kërkuar rikthimin e Dull, kërkesë kjo e cila “u refuzua kategorikisht”.

Përmes një letre të hapur, gazetarët thanë se vendimi nënkuptonte se kushtet për funksionimin e pavarur të Index-it nuk ishin më në fuqi.

“Shkarkimi i tij është një ndërhyrje e qartë në përbërjen e stafit tonë, dhe ne nuk mund ta konsiderojmë atë në ndonjë mënyrë tjetër, por si një përpjekje të hapur për të ushtruar presion”– thonë gazetarët në një deklaratë të përbashkët.

Zëvendës kryeredaktorja, Veronika Munk, i tha Euronews se shkarkimi i Dull ishte arsyeja për vendimin e saj për të dhënë dorëheqjen.

“Shkarkimi i Szabolcs Dull ishte hapi që më bëri të mendoj se nuk mund ta bëj më këtë punë lirshëm, duke ndjekur parimet profesionale të gazetarisë”, tha Munk. “Dhe unë e di se shumë njerëz në mesin e atyre që dhanë dorëheqjen mendojnë në të njëjtën mënyrë.” Më pas ata publikuan foto në rrjet të stafit që kishte dhënë dorëheqjen, të cilët qanin e përqafoheshin me njëri-tjetrin.

Dull u shkarkua vetëm disa javë pasi kompania tha në një deklaratë se ndjente se pavarësia e saj ishte “në rrezik” nga forcat e jashtme. Për këtë arsye kishte ndryshuar barometrin e saj për liritë editoriale në kompani nga “e pavarur”“në rrezik”.

Por të mërkurën doli një deklaratë nga drejtori i Përgjithshëm i kompanisë i cili thoshte se Dull po pushohej nga puna për nxjerrjen e një dokumenti, që kishte nxitur dhe ndryshimin e barometrit.

Index.hu ka qenë prej kohësh në shënjestër të Orbanit, i cili e ka quajtur atë “fabrikë të lajmeve të rreme”.

Ngjarja ka nxitur protetesta ditën e premte, ku dhjetëra qytetarë e gazetarë dolën në rrugë në Budapest për lirinë e mediave.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *