Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka ngritur alarmin për mbylljen në mënyrë masive të bizneseve të vogla gjatë krizës së shkaktuar nga koronavirusi.
Basha e ka quajtur të paaftë qeverinë Rama për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë që është në krizë të thelllë.
Më tej kryedemokrati thotë se forca politike që ai drejton ka plan për t’i ardhur në ndihmë bizneseve duke i vendosur vetëm një taksë të vetmë si edhe duke futur në karantinë çdo inspektorat.
“Paaftësia e qeverisë Rama për ti ardhur në ndihmë ekonomisë në këtë kohë krize të thellë, është vrastare për biznesin e vogël i cili punëson 70% të shqiptarëve. Ritmet e mbylljes së bizneseve të vogla po rriten çdo muaj. Sot ato po ulin masivisht qepenat duke lënë pa punë mijëra familjarë prej taksave të larta, korrupsionit dhe tarifave të shumta të pushtetit lokal.
Plani ynë ekonomik ka në themel të tij mbështetjen dhe nxitjen e bizneseve të vogla si gjenerator të punësimit të shqiptarëve. Një taksë e vetme sa 0.5% e xhiros, dhe do të heqim të gjitha taksat dhe tarifat lokale, për të luftuar informalitetin, për të rritur fitimin dhe për të nxitur punësimin. Karantinimi i çdo inspektoriati për 1 vit, deri në një reformë të vërtetë të standarteve europiane, do të zhdukë terrorin e bandave të inspektoriateve dhe do të rivendosë dinjitetin dhe lirinë e sipërmarrjess.
Shqiptarët meritojnë dhe do të kenë një qeveri që me përgjegjshmëri dhe seriozitet do ti kthejë frymëmarrjen ekonomisë sonë”-shkruan Basha.