BDI i ka vjedhur votat dhe nuk është legjitimi. Ky ishe mesazhi kyç i liderëve të Koalicionit “Tash është koha” Afrim Gashi dhe Ziadin Sela, në marshin “Për demokraci” ku mijëra protestues marshuan nga Parku i Çairit, vazhduan tek Qeveria dhe ndaluan para Zyrës së BE-së dhe Zyrave të KSHZ-së.
Mes tjerash, kryetari i ASH-së Ziadin Sela deklaroi se populli kërkon liri, ndërsa është koha që nga pushteti të bjerë edhe gjysma tjetër e regjimit të mbetur.
“Kemi thënë që motivi kryesor i këtyre zgjedhjeve duhet të jetë ndryshimi, sepse status kuoja 18 vjeçare, monizmi 18 vjeçar e ka vrarë shpresën e shqiptarit, ka bërë nga shqiptari një qenie pa shpresë e cila detyrohet që të largohet nga vendlindja. Ne e dhamë kontributin tonë që një pjesë e regjimit të bjerë në zgjedhjet e kaluara. Tash është koha që të bjerë gjysma tjetër e regjimit”-tha Ziadin Sela, ASH.
Ndërsa kryetari i Alternativës, Afrim Gashi u ka bërë thirrje partive maqedonase që të kenë kujdes se me kë do të formojnë qeveri.
“Porosia e parë është për partitë maqedonase. Të mos lejoni të nëpërkëmbni akoma legjitimitetin e shqiptarëve, ju e dini shumë mirë kush i përfaqëson shqiptarët nga 15 korriku e këndej. Andaj kujdes me kë bëni Qeveri. Dhe porosia e dytë është për bashkësinë ndërkombëtare, këtu e kam fjalën për SHBA-në por edhe për shtetet e BE-së. Mos lejoni që ky vend sidomos në pjesën shqiptare të bjerë në diktaturë”.
Sela dhe Gashi për manipulim të zgjedhjeve akuzuan edhe KSHZ-në por edhe institucionet tjera të drejtësisë në vend, për çka zgjedhjet e 15 korrikut i shpallën si jo legjitime. Ata thanë se legjitimiteti do të arrihet vetëm në procedura demokratike dhe të drejta, pa shantazhe dhe pa bërje të votës.