Përfaqëuesi i PS-së, në Këshillin Politik i ka kthyer përgjigje opozitës së bashkuar lidhur me kërkesat e saj.
Në një e-mail të gjatë, Gjiknuri shkruan se kundërshtitë e opozitës për amendamentet që kanë të bëjnë me ndryshimet kushtetuese, nuk i kundërvihen thelbësisht e formalisht formulimeve të këtyre amendamenteve.
Ai shton se dispozitat nuk janë formular ende e kësisoj ka vend për diskutime e dakordësi të gjerë.
Gjiknuri thotë se kërkesa e opozitës për hapjen 100% të listave është adresuar si e mundshme ndërsa lidhur me koalicionet, ai shton se shumica është e gatshme ta shqyrtojë kërkesën e opozitës së bashkuar, në rast se ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo vendi europian që ka një sistem zgjedhor si ai shqiptar.
“Sikurse sqaruam edhe në mbledhjen e fundit, kërkesa juaj për hapjen 100% të listave të kandidatëve është e adresuar si hapësirë e disponueshme në formulimin e kompromisit të draft-amendamenteve kushtetuese të cilat ndodhen në procedurën parlamentare. Edhe pretendimi juaj për ruajtjen e medoemos të formulës aktuale të koalicioneve ka marrë një përgjigje në parim nga mazhoranca. Ne jemi gati ta shqyrtojmë këtë formulë, nëse ajo gjen pasqyrim në modelin e cilitdo shtet evropian që ka një sistem si yni dhe që ka adoptuar listat e hapura. Referimi tek modeli është i rëndësishëm sepse ai është kriteri praktik që do na ndihmojë për të konkluduar rreth realizueshmërisë së kërkesës suaj dhe rreth përputhshmërisë së saj me të mirën më të lartë, atë të zgjedhësve.” – shkruan Gjiknuri.