Policia ka gjobitur me nga 10 milionë lekë administratorët e katër lokaleve në Lezhë pasi kanë shkelur rregullin duke lejuar organizimin e dasmave në mjediset e administruara prej tyre.
Blutë bëjnë thirrje për zbatimin e rregullave të sigurisë dhe masave kufizuese të vendosura nga qeveria për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë , në vijim të kontrolleve të ushtruara në subjekte të ndryshme, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë evidentuar 4 restorante dasmash në Lezhë dhe Ishull Lezhë që vazhdonin të ushtronin aktivitet duke organizuar dasma në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar kufizimin e përcaktuar nga Policia e Shtetit. Policia ka bërë me dije se për secilin nga këto subjekte, me administratorë shtetasit M.B., Y.Z., E.U. dhe E.Z., shërbimet e Policisë kanë vendosur masë administrative 1.000.000 lekë.
Policia e Lezhës apelon për të gjithë administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.” – thuhet në njoftim.