Vendosni fjalën kyçe....

Një lexim i kujdesshëm i vdekjeve me Covid-19 në Shqipëri


Plot 148 qytetarë kanë humbur jetën nga Covid-19 në vendin tonë, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars.

E duket se bumi i vdekjeve është regjistruar pikërisht në muajin korrik, me plot 86 vdekje të regjistruara, 4 prej të cilave u konfirmuan sot.

E nisim nga fillimi. Rastet e para me koronavirus në vendin tonë u regjistruan në muajin mars dhe po në të njëjtin muaj u regjistruan edhe vdekjet e para. Më saktë më 11 mars u shënua viktima e parë, një grua e moshës 73-vjeçare nga qyteti i Durrësit.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, të pasqyruara edhe nga portali i Worldometër, në muajin mars janë regjistruar gjithsej 15 viktima. Shifrat nuk kanë lëvizur shumë në muajin prill, ku janë shënuar 16 viktima, pra vetëm një vdekje më shumë.

I pyetur se kur do të ishte kulmi i pandemisë në vendin tonë, doktor Pëllumb Pipero kishte këtë përgjigje në muajin mars: “Siç e kam thënë shpesh, kjo javë dhe java që do të pasojë, do të jetë shumë e vështirë. Kulmi mendohet të jetë në fillimin e prillit. Dy javët e para janë vendimtare. Të gjitha masat e marra nga qeveria, do të japin efekt. Nëse janë zbatuar, atëherë rastet nuk do të jenë të larta. Në të kundërt, parashikohen të jenë shumë të vështira”.

E me të vërtetë, më pas kishte një periudhë qetësimi të kurbës në muajin maj me vetëm 2 viktima dhe 364 të infektuar, ku situata dukej se po përmirësohej. Por me nisjen e muajit qershor dhe hapjen e vendit situata përkundrazi është përkeqësuar.

Në muajin qershor janë regjistruar plot 29 viktima e kurba e vdekjeve ka arritur kulmin e saj në muajin korrik me 82 viktima, siç paraqitet edhe në grafikun e mëposhtëm. (Sqarim: Në tabelën e mëposhtme nuk janë përfshirë të dhënat e ditës së sotme, 28 korrik).

Grafiku i rasteve ditore të vdekjeve nga Covid -19 në Shqipëri

E njëjta gjë ka ndodhur dhe me numrin e të infektuarve, ku më shumë persona të prekur nga Covid-19 janë regjistruar pikërisht në korrik. Një numër i madh personazhesh të njohur në fakt kishin zbuluar se ishin prekur nga koronavirusi pas muajit maj dhe sot madje u konfirmuan edhe disa politikanë. Bëhet fjalë për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj dhe deputetin Ralf Gjoni, të cilët konfirmuan përmes një postimi në rrjetet sociale se janë infektuar me koronavirus.

Ndërkohë në media ka qarkulluar dhe lajmi se nga Covid-19 janë prekur edhe deputeti tjetër i LSI-së, Enver Roshi dhe ai i PS-së, Eljo Hysko. Por ata nuk e kanë konfirmuar lajmin.

Sikurse shihet edhe në grafikun e mëposhtëm, data kur janë regjistruar më shumë raste të reja ka qenë 26 korriku me 126 raste./Hashtag.al

Grafiku i rasteve ditore të të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri (Pa përfshirë 27 korrikun)


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *