Vendosni fjalën kyçe....

Opozita e Bashkuar zbardh takimin me ambasadorët e SHBA-së e BE-së: Rama po minon dialogun, nuk biem pre e provokimit


Opozita e bashkuar ka zbardhur takimin me ambasadorët e akredituar në Tiranë.

Përmes një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit, opozita thotë se ka informuar ambasadorët e SHBA dhe BE mbi qëndrimin e saj lidhur me Reformën Zgjedhore dhe veprimet e njëanshme që ka ndërmarrë Kryeministri Rama për prishjen e konsensusit të arritur me Marrëveshjen e 5 Qershorit, për të cilën të dy Ambasadorët kanë qenë garant.

Po ashtu, opozita e bashkuar ka theksuar qëndrimin e saj kundër ndryshimit të njëanshëm të Kushtetutës, lidhur me hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve parazgjedhore. Opozita akuzon kryeministrin Edi Rama se po përpiqet vazhdimisht të minojë dialogun politik lidhur me Reformën Zgjedhore.

“Duke i falenderuar Ambasadorët për rolin e tyre gjatë punës 6 mujore, të përbashkët të palëve në Këshillin Politik, Opozita e Bashkuar bëri të qartë se ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës ndryshon elementët bazë të sistemit zgjedhor, bie ndesh me Marrëveshjen e 14 Janarit, minon Marrëveshjen e 5 Qershorit, është në kundërshtim me Rekomandimet e OSBE-ODIHR dhe Komisionit të Venecias, si dhe zhbën ligjin e miratuar më 23 Korrik nga Kuvendi në përputhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Opozita e Bashkuar theksoi se logjika e ‘faktit të kryer’ që përdor Kryeministri Rama është një përpjekje e vazhdueshme për të minuar dialogun politik mes palëve dhe cënon besimin tek partnerët ndërkombëtarë, të cilët, në mënyrë të përsëritur, po bëjnë thirrje për dialog, duke theksuar se gjithëpërfshirja është standard botërisht i pranuar për realizimin e Refomës Zgjedhore. Opozita e Bashkuar garantoi se nuk do të bjerë pre e këtij provokimi, duke vazhduar të jetë e angazhuar për dialog dhe për të ruajtur arritjen e konsensusit dhe Marrëveshjes së 5 Qershorit, që është kyç për stabilitetin, demokracinë dhe për procesin e integrimit europian të Shqipërisë në BE.”- thuhet në njoftimin e publikuar nga zyra e shtypit të PD-së.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *