Kryeministri Rama ka deklaruar sot se arrestimet e komisionerëve politikë lidhur me hetimet për Dosjen 339, tregojnë domosdoshmërinë e depolitizimit të administratës zgjedhore.
Sipas kreut të qeverisë, ata që janë kundër depolitizimit i kanë duart e zhytura në llum. Rama vijon se 22 personat e përfshirë në dosjen hetimore janë një provë për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet zgjedhore.
“Arrestimi i komisionerëve politikë të dosjes së famshme të Dibrës, nxjerr në pah psenë e domosdoshmërisë së depolitizimit të administratës zgjedhore! 14 të pandehur të PDLSI dhe 8 të PS janë prova se kush bërtet më shumë e nuk do depolitizim, i ka duart të zhytura thellë në llum!
Për mua janë 22 individë të gabuar, në vendin e gabuar dhe detyrën e gabuar, që duhet të shërbejnë si shembull i padiskutueshëm për largimin përfundimtar të partive politike nga komisionet e zgjedhjeve! Le të vendosë drejtësia për ta pa dallim dhe mësimi për ne është: DEPOLITIZIM!” – shkruan Rama në Twitter.