Vendosni fjalën kyçe....

Andrea Bocelli thotë se nuk i ka zbatuar rregullat kundër koronavirusit: Mosha ime ka nevojë për diell


Këngëtari i operës italiane Andrea Boçelli thotë se është ndjerë “i poshtëruar dhe ofenduar” nga masat bllokuese të vendosura në vendin e tij, për shkak të koronavirusit.

“Unë nuk mund të largohesha nga shtëpia edhe pse nuk kisha bërë asnjë krim”- tha Boçelli, citon BBC.

Ai gjithashtu pranoi se nuk i ishte bindur rregullave të bllokimit duke besuar se ashpërsia e pandemisë kishte qenë e fryrë.

Komentet e tij kanë befasuar shumë italianë, pasi ai ishte bërë një simbol i unitetit kombëtar në kulmin e bllokimit kur këndoi të dielën e Pashkëve nga katedralja e boshatisur e Milanos.

Këto deklarata, Bocelli i bëri gjatë një konference të mbajtur në senatin italian, ku morën pjesë politikanë të opozitës duke përfshirë Matteo Salvinin i cili drejton partinë e ekstremit të djathtë La Lega. Salvini ka sulmuar qeverinë e kryeministrit Conte për dështim në përballimin e krizës së koronavirusit.

Gjatë fjalimit të tij, 61-vjeçari tha se nuk iu bind rregullave të bllokimit “sepse nuk mendoja se ishte mirë ose e shëndetshme të qëndroja në shtëpi në moshën time. Unë jam në një moshë të çaktuar dhe kam nevojë për diell dhe vitaminë D.”

Madje ai u sugjeron gjithashtu qytetarëve të tjerë të refuzojnë të ndjekin rregullat.

“Le të rezufojmë të ndjekim këtë rregull. Të lexojmë libra, të lëvizim, të njohim njëri-tjetrin, të bisedojmë, dialogojmë”, shton ai.

Boçelli, i cili ka dy djem të rritur nga martesa e tij e mëparshme dhe një vajzë me gruan e tij të dytë, Veronica Berti, kritikoi dhe qasjen e qeverisë italiane për rihapjen e shkollave.

“Unë kam një vajzë tetë vjeçare dhe është e paimagjinueshme që këta fëmijë do të duhet të shkojnë në shkollë të ndarë nga një copë xhami dhe të fshehur pas një maske“- tha ai. “Është e paimagjinueshme që shkollat ​​u mbyllën kaq shpejt dhe me të njëjtën shpejtësi u hapën klubet e natës, ku të rinjtë shkojnë jo për të mësuar, por për të zbrazur trurin e tyre”.

Pas kritikave që mori, Boçelli është shprehur se komentet e tij ishin “keqkuptuar“, duke shtuar se fondacioni i tij ka ndihmuar shumë njerëz që kanë pasur virusin.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *