Edhe pse ditën e djeshme u konfirmuan me koronavirus tre deputetë, seanca e sotme plenare nuk do të shtyhet, por do mbahet në masa të forta sigurie.
Dy seancat e planifikuara për sot dhe të enjten, ku pritet të votohen edhe ndryshimet kushtetuese për hapjen e listave zgjedhore, do të zhvillohen. Megjithatë do ketë kufizime në kohëzgjatjen e këtyre dy seancave dhe diskutimeve.
“Kuvendi i Shqipërisë, që në fillim të pandemisë së COVID-19, ka respektuar në mënyrë rigoroze të gjitha masat mbrojtëse. Me vendim të Konferencës së Kryetarëve, është kufizuar kohëzgjatja e seancave plenare, si dhe koha e diskutimeve. Mbledhjet e komisioneve parlamentare, Byrosë dhe Konferencës së Kryetarëve zhvillohen online. Deputetët në sallë mbajnë maska dhe ulen duke respektuar distancën fizike, duke shfrytëzuar për këtë qëllim edhe mjediset e tjera të sallës së seancave, galerinë dhe lozhat”, njoftonte dje Kuvendi.
Si masë siguriee, është bërë dezinfektimi i rregullt periodik i mjediseve të Kryesisë së Kuvendit dhe të sallës së seancave plenare, para çdo seance.
Ditën e djeshme u konfirmuan me koronavirus deputetët Ralf Gjoni, Enver Roshi dhe Eljo Hysko. Edhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha dje se ishte i infektuar me Covid.